Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës e ka dënuar ashpër deklaratën e fundit të Serbisë në lidhje me memorandumin trepalësh të nënshkruar mes Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë.
Në një deklaratë të lëshuar për mediat të mërkurën mbrëma, MPJD thekson se kjo deklaratë nuk është vetëm agresive dhe kërcënuese, por gjithashtu përbën një shkelje të hapur të Marrëveshjeve të Brukselit.
“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës dënon ashpër deklaratën e fundit të Serbisë në lidhje me memorandumin trepalësh të nënshkruar mes Kosovës, Kroacisë dhe Shqipërisë. Kjo deklaratë nuk është vetëm agresive dhe kërcënuese, por gjithashtu përbën një shkelje të hapur të Marrëveshjeve të Brukselit, të cilat Serbia ka pretenduar se i pranon, por ka refuzuar me qëllim t’i nënshkruajë—duke dëshmuar edhe një herë qëllimet e saj të këqija dhe mungesën e vullnetit për t’u angazhuar në një dialog të mirëfilltë. Duke bërë deklarata të tilla, Serbia minon angazhimet e saj për ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me Kosovën dhe për njohjen e institucioneve dhe kornizës ligjore të Kosovës si të vetmet autoritete të vlefshme brenda vendit tonë.”, thuhet në deklaratën e MPJD-së.
MPJD thekson se retorika e Serbisë është e mbushur me tone hegjemoniste, “pasi ajo përpiqet të paraqitet si fuqia dominuese në Ballkanin Perëndimor, duke kërkuar shpjegime nga Kroacia dhe Shqipëria—dy shtete sovrane, të dyja anëtare të NATO-s, me Kroacinë gjithashtu anëtare e Bashkimit Evropian”.
“Kjo sjellje është tërësisht e papranueshme dhe përbën një tjetër shkelje të Marrëveshjes së Brukselit, e cila parashikon qartë se Serbia nuk do të pengojë marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës dhe nuk do të pretendojë të flasë në emër të Kosovës në marrëdhëniet me shtete dhe organizata të tjera. Përpjekja e Serbisë për ta paraqitur veten si “garantuese e paqes në Ballkan” është absurde. Asnjë shtet në rajon e më gjerë nuk ka kontribuar më shumë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor sesa Serbia, siç e dëshmojnë faktet historike dhe zhvillimet e fundit. Nga përfshirja e saj e drejtpërdrejtë në luftërat e agresionit në vitet 1990—që rezultuan në gjenocid dhe spastrim etnik në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë—e deri te kërcënimet e saj të vazhdueshme, grumbullimi ushtarak pranë kufijve të Kosovës dhe mbështetja për rrjetet kriminale dhe terroriste që operojnë në veri të Kosovës, Serbia mbetet kërcënimi më i madh për sigurinë rajonale.”, thuhet në deklaratë.
Po ashtu sipas MPJD-së pretendimi i Serbisë për neutralitet është hipokrizi.
“Dke marrë parasysh marrëdhëniet e saj të thelluara politike dhe ushtarake me regjime autoritare si Rusia dhe Irani—të gjitha shtete që përbëjnë kërcënime serioze për sigurinë rajonale dhe globale. Ndërsa bota demokratike qëndron e bashkuar kundër agresionit, Serbia vazhdon të rreshtohet me vende jodemokratike që punojnë aktivisht kundër stabilitetit në Evropë dhe më gjerë.
Në vend që të lëshojë deklarata agresive dhe thellësisht mashtruese, Serbia duhet të fokusohet në respektimin e marrëveshjeve që ka pretenduar se i pranon, të heqë dorë nga ambiciet e saj hegjemoniste dhe të ndërmarrë hapa të vërtetë për t’u bërë një aktor përgjegjës në rajon—duke filluar me njohjen e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës.”, thuhet tutje.
MPJD vlerëson se Serbia në vend t’u mbajë leksione të tjerëve për paqen dhe stabilitetin, duhet të hapë arkivat e saj të klasifikuara të kohës së luftës, në mënyrë që krimet e saj të përballen me drejtësinë.
“Veçanërisht, arkivat e klasifikuara të Brigadës së 38-të të Motorizuar të Ushtrisë Jugosllave, e cila ka kryer krime të shumta lufte dhe masakra në Kosovë, sidomos në Drenicë gjatë viteve 1998-1999, duhet të bëhen publike dhe përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi para ligjit. Pa drejtësi për viktimat, nuk mund të ketë paqe dhe pajtim të vërtetë në rajon. Republika e Kosovës nuk do të frikësohet nga kërcënimet e Serbisë dhe do të vazhdojë të forcojë sigurinë dhe partneritetet e saj ndërkombëtare në bashkëpunim me aleatët e saj.”, thuhet në fund të reagimit.
Për deklaratat e Serbisë ka reaguar edhe Kroacia.
“Ka kaluar koha kur Kroacia e pyeste Beogradin se çfarë i lejohej të bënte dhe si duhej ta bënte, dhe kjo nuk do të ndodhë më kurrë”, shprehet Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anusic, në përgjigjen e tij për Ministrinë e Jashtme të Serbisë, e cila tha se do të kërkojë përgjegjësi nga Kroacia dhe Shqipëria që bashkë me Kosovën nënshkruan Deklaratën e Bashkëpunimit Trepalësh Ushtarak.
Ministri Anusic, ia bën me dije Serbisë se shteti i tij “do të nënshkruajë Deklarata me kë të dojë”.
“Ka kaluar koha kur Kroacia e pyeste Beogradin se çfarë guxon të bëj dhe si duhet ta bëj, dhe kjo nuk do të përsëritet më kurrë. Kemi 35 vjet që jemi shtet i pavarur, kemi kaluar pesë vite agresion dhe politikë që mbrojti një narrativë të tillë. Kroacia do të nënshkruajë deklarata me kë të dojë dhe bashkëpunimi me Shqipërinë dhe Kosovën është i fokusuar në shkëmbimin e njohurive, bashkëpunimin ndërmjet industrive ushtarake, mbështetjen për rrugën euroatlantike të Shqipërisë dhe Kosovës…”, shkruan Anusic.
Kosova, deklaratën mes tre shteteve e ka cilësuar si hap jashtëzakonisht të rëndësishëm për sigurinë dhe paqen në rajon. Por, reagim i ashpër erdhi dje nga Ministria e Jashtme e Serbisë duke u shprehur se do të kërkojë përgjegjësi nga Kroacia e Shqipëria.
Në reagimin e bërë në rrjetin “X”, MPJ e Serbisë deklaroi, “do t’u dërgojë një kërkesë urgjente Ministrive të Punëve të Jashtme të Republikës së Kroacisë dhe Republikës së Shqipërisë për një shpjegim të detajuar në lidhje me nënshkrimin e memorandumit trepalësh për bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes”.
Tutje, kjo ministri e quajti Serbinë si “garantues të paqes dhe neutralitetit ushtarak në Ballkan”, dhe kërkon përgjigje për natyrën dhe qëllimet e këtij bashkëpunimi të sigurisë.
“Është veçanërisht shqetësues fakti që kjo aleancë ushtarake po krijohet pa konsultim me Beogradin…. që paraqet kërcënim për sigurinë për popullin serb dhe mbarë rajonin”, thuhej në reagim.