Ish-kryeministri i Kosovës dhe ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka reaguar ashpër pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit, që u mbajt gjatë ditës së djeshme.
Ai e ka cilësuar Lëvizjen Vetëvendosje si përgjegjësen e vetme për këtë situatë, ndërsa ka shprehur shqetësim për mënyrën si po interpretohet Kushtetuta nga persona që, sipas tij, po e keqpërdorin autoritetin e tyre publik.
“Për dështimin e mbledhjes konstituese të Kuvendit përgjegjëse e vetme është Lëvizja Vetëvendosja”, tha Mustafa.
Ai nuk kurseu kritikat edhe për disa figura që shfaqen si ekspertë kushtetues, të cilët – sipas tij – po e shtrembërojnë qëllimisht kuptimin e Kushtetutës:
“I shoh përgjegjës edhe ata që thirren si njohës të Kushtetutës (bile edhe që thonë se janë shkrues të saj) dhe e bastardhojnë në interpretim”, shtoi ai.
Mustafa theksoi se ndarja mes pushteteve është shumë e qartë dhe nuk lejon që një person të ushtrojë njëkohësisht dy funksione shtetërore:
“Sistemi ynë kushtetues është krejtësisht i qartë, askush nuk mundet që në të njëjtën kohë të ketë edhe pushtet legjislativ edhe ekzekutiv; të jetë edhe deputet edhe ministër; të jetë njëherazi edhe Kuvend edhe Qeveri”, thotë Mustafa.
Ai iu referua edhe Ligjit për Qeverinë, duke akuzuar Vetëvendosjen për sjellje selektive dhe të njëanshme ndaj ligjit:
“Ligjin për Qeverinë, i cili kërkon që qeveritarët në detyrë, të cilët zgjidhen deputetë, duhet të japin dorëheqje para se të certifikohen rezultatet, flet se kjo parti dhe kjo qeveri, ligjet i sjell për t’i shkelë vet dhe për të persekutuar të tjerët.”
Sipas Mustafës, kundërshtimi i votës në Kuvend nuk kishte për qëllim bllokimin e institucioneve, por respektimin e normave kushtetuese dhe zëvendësimin e atyre që s’mund të ushtrojnë dy funksione:
“Ata që votuan kundër, nuk ishin që vendi të mbetet në vakum qeverisës, por e thanë qartë që këta që marrin mandat të deputetit nuk mund të kthehen në zyrat qeveritare. Kjo do të thotë se ata paraprakisht do duhej të zëvendësohen.”
Në fund, ai rikujtoi se Kosova ka pasur praktika pozitive në të kaluarën, kur Kushtetuta është respektuar pa kompromise:
“Kosova ka përvoja të mira, kur nuk është shkelë Kushtetuta”, përfundoi Mustafa për Blic.