Naser Gashi mbeti i vrarë mbrëmë në Prishtinë si pasojë e plagëve të marra nga një armë zjarri.
Për këtë ngjarje ka folur Afrim Veseli, ish-kolonel dhe familjar i viktimës, i cili ka treguar detaje rreth asaj që ndodhi.
Në një intervistë për emisionin “Kosova Today” në Klan Kosova, Veseli tha se Gashi ishte në vendin e ngjarjes rastësisht dhe nuk kishte lidhje me përplasjen mes dy palëve të përfshira.
“Naseri është tezaku im, jemi rritur së bashku. Ai ka qenë një njeri familjar, që ka shikuar punët e veta. Sipas informacioneve që kemi, ai ka qenë duke qëndruar me shokët e tij në një restorant kur ndodhi përleshja mes dy grupeve, të cilët për ne janë të panjohur. Naseri nuk kishte asnjë lidhje me këtë zënkë”.
Veseli tregoi se fillimisht Gashi nuk ishte i vetëdijshëm që ishte qëlluar.
“Shokët e tij thonë se ai mendoi se po pësonte një sulm në zemër. Kur e morën për ta çuar në spital, e kuptuan që po i rridhte gjak”, tha Veseli, transmeton Klankosova.tv.
Ndiqni detajet, në videon vijuese: