Live

Natasha Kandiq nderohet në Prishtinë me “Çelësin e Qytetit”

18:02 / 27 Prill 2025

Nga Kosova Live

Aktivistja serbe për të drejtat e njeriut, Natasha Kandiq, është nderuar të dielën me çmimin “Çelësi i Qytetit” të Prishtinës, nga kryetari i kryeqytetit të Kosovës, Përparim Rama.

Rama tha në një postim në Facebook se ia ndau këtë çmim Kandiqit si një shenjë mirënjohjeje për “jetën që ia kushtoi drejtësisë, të vërtetës dhe pajtimit”.

Kandiq e themeloi Qendrën për të Drejtën Humanitare në vitin 1992 për të dokumentuar shkeljen e të drejtave të njeriut që janë bërë gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.

Ai tha se Kandiq është një nga ato zëra të rrallë që “nuk heshti, edhe kur bota zgjodhi të mbyllte sytë”.

“Me guximin e saj të palëkundur, ajo i dha zë dhimbjes, i dha drejtësi kujtesës dhe nder viktimave pa dallim kombi apo gjuhe. Puna dhe përkushtimi i saj na kujtojnë se pa të vërteta nuk ka paqe të qëndrueshme, as në Kosovë, as në rajon”, shkroi ai.

Kandiq ka kaluar vite të jetës së saj duke dokumentuar krimet e luftës në Kosovë dhe në vende të tjera të ish-Jugosllavisë.

Në vitin 2018, Kandiq ishte nderuar nga kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Ramush Haradinaj me çmimin “Harta e Artë të Kosovës”.

Shpërndaje në

U Kopjua