Live

NATO ua ndalon stafit përdorimin e TikTok

23:25 / 31 Mars 2023

Nga Kosova Live

NATO edhe zyrtarisht ua ka ndaluar stafit shkarkimin e aplikacionit të rrjetit social TikTok në pajisjet e tyre zyrtare të NATO-s, duke cituar shqetësimet rreth sigurisë.

Zyrtarët e NATO-së dërguan një mesazh tek stafi në mëngjesin e së premtes ku u njoftua ndalimi, deklaruan dy burime të CNN-së, por që gjithsesi TikTok nuk përdorej edhe aq në pajisjet e lëshuara nga NATO, kjo për shkak të kufizimeve të brendshme mbi teknologjinë.

“Siguria kibernetike është një prioritet kryesor për NATO-n. NATO ka kërkesa të forta për përcaktimin e aplikacioneve për përdorim zyrtar të biznesit. TikTok nuk është i qasshëm në pajisjet e NATO-s”, tha një zyrtar i lartë i NATO-s për CNN.

NATO është organi më i fundit qeveritar që ndalon aplikacionin pasi dyshohet se qeveria kineze mund të ketë qasje në të dhënat e përdoruesve të TikTok përmes kompanisë së saj mëmë kineze, Bytedance.

SHBA, Britania e Madhe, Norvegjia, Parlamenti Evropian dhe vende të tjera kanë ndaluar tashmë shkarkimin e aplikacionit nga pajisjet qeveritare, transmeton Telegrafi.

Drejtori ekzekutiv i TikTok, Shou Chew, më herët gjatë këtij muaji u kishte thënë ligjvënësve amerikan se kompania të cilën ai e udhëheq është plotësisht e pavarur nga Pekini zyrtar, dhe kishte deklaruar se “nuk ka parë asnjë provë që qeveria kineze ka qasje në ato të dhëna”, dhe se “Pekini asnjëherë as nuk u kanë kërkuar, e as TikTok nuk u kanë dhënë atyre të dhënat e përdoruesve”.

Ai shtoi se TikTok po zhvendos të dhënat e saj në SHBA, për t’u ruajtur në tokën amerikane nga kompania amerikane Oracle.

Shpërndaje në

U Kopjua