Live

Ndahet nga jeta Dianne Feinstein, senatorja amerikane që kishte votuar pro bombardimit të Serbisë

19:54 / 29 Shtator 2023

Nga Kosova Live

Është ndarë nga jeta në moshën 90-vjeçare senatorja demokrate nga Kalifornia e Shteteve të Bashkuara, Dianne Feinstein. Gjatë karrierës së gjatë, ajo kishte thyer barriera gjinore në politikën lokale e kombëtare. Ajo ishte në mesin e senatorëve që kishin votuar pro bombardimit të Serbisë gjatë luftës në Kosovë më 1999.

Vdekjen e saj e konfirmuan të premten për agjencinë “Associated Press” tre persona me njohuri për ngjarjen pikëlluese.

Feinstein ishte senatorja më e moshuar në Senatin e Shteteve të Bashkuara. Ajo ishte mbrojtëse e pasionuar e prioriteteve liberale, përfshirë mbrojtjen e mjedisit, të drejtat për shëndetin riprodhues dhe kontrollin e armëve. Megjithatë, ajo njihej si ligjvënëse pragmatike, që kishte kontakte me republikanët dhe kërkonte gjuhë të përbashkët.

Më 1969, Feinstein ishte zgjedhur në Bordin e Mbikëqyrësve të San Franciskos dhe më 1978 ishte bërë presidentja e parë grua e këtij institucioni.

Sipas një raportimi të televizionit “NBC News” më 2013, senatorja Feinstein ishte në mesin e ligjvënësve që kishin votuar pro bombardimit të Serbisë në kohën e luftës në Kosovë./Kosovalive.net

Shpërndaje në

U Kopjua