Live

Ndërtohen shtigjet e ecjes deri te Ujëvara e Mirushës

11:14 / 01 Nëntor 2019

Nga Kosova Live

Frekuentimi i madh i vizitorëve dhe infrastruktura primitive e shkuarjes deri te Ujëvara e Mirushës, si pikë e rëndësishme për zhvillimin e turizmit në këtë komunë, ka shfaqur nevojën e realizimit të një projekti për ndërtimin e një infrastrukture komplet të re rrugore, që kalon nëpër parkun e madh të kësaj ujëvare.

Deri tash, për t’i shijuar ato bukuri natyrore, vizitorëve u duhej goxha mund të arrijnë deri te ujëvara, për shkak të gjendjes shumë të keqe të rrugës, shkruan sot “Koha Ditore”.

Këto ditë, siç tregon drejtori për Urbanizëm dhe Mbrojtje të Mjedisit, Lorenc Marleku, ka nisur realizimi i projektit kapital për ndërtimin e infrastrukturës për atë pikë turistike, që njihet për një biodiversitet shumë të pasur, me ujëvara e kanione unike në Kosovë.

“Ky është një projekt më i rëndësishmi infrastrukturor, që do të ndikojë në zhvillimin e turizmit në komunën tonë. Me këtë fazë të projektit, që ka koston prej 384 mijë eurosh dhe financohet nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, parashihet ndërtimi i shtigjeve të ecjes për këmbësorë dhe shtigje për biçikleta dhe në mes të dy shtigjeve do të ketë një shirit gjelbërimi. Do të bëhet edhe ndriçimi publik përgjatë tërë asaj traseje që do të rregullohet, e gjatë 2.3 kilometra”, tregon Marleku.

“Vitin e ardhshëm planifikojmë vazhdimin e projektit për të cilin Ministria i ka planifikuar mjetet. Me këtë projekt është planifikuar edhe ndërhyrja te lumi dhe pastrimi i tij. Kurse mbi ujëvarën kryesore të Mirushës janë edhe pesë ujëvara të tjera deri të cilat është një terren shkëmbor dhe planifikojmë ta rregullojmë infrastrukturën edhe atje që të krijohet qasja deri në atë lartësi, ku janë ujëvarat e tjera që janë shumë atraktive për vizitorë”, thotë Marleku. Ky projekt i ujëvarës së Mirushës konsiderohet më i rëndësishmi që është realizuar në periudhën e pasluftës në këtë komunë.

Shpërndaje në

U Kopjua