Një rast i pazakontë është raportuar së fundmi në Polici, pasi një punëtore pastrimi në një market në Fushë Kosovë gjeti një armë teksa kryente punën e saj. Akoma nuk dihet se si ka përfunduar revolja në hapësirat e marketit, por që tashmë është iniciuar rasti.
Sipas merr vesh Kosovalive rasti ka ndodhur në “Albi Market” në rrugën “Besa Besë” në Fushë Kosovë.
Bazuar në informacionet e para, ankuesja e cila punon si pastruese në këtë market, ka hasur në një qese të dyshimtë, brenda së cilës ndodhej një armë dhe një pjesë tjetër e një arme të panjohur.
Rasti është denoncuar menjëherë dhe si rezultat, Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ku janë kryer ekzaminimet e nevojshme dhe është sekuestruar qesja me armë.
Lidhur me rastin, është vënë në dijeni Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit në drejtim të veprës penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.