Një ekip arkeologësh serb po pretendon se ka bërë një zbulim “epokal”, pasi ka gjetur në fshatin Vitkovo afër Aleksandrovacit një objekt prej argjile të Venusit, shumë i ngjashëm me Hyjneshën në Fron të gjetura shumë kohë më parë tek Tjerrtorja në Prishtinë.
Zbulimi i kësaj figurine po shoqërohet me një bujë të madhe në mediat serbe. Falë Arkeologia serbe Sanja Crnobrnja-Krasiq ka thënë se bëhet fjalë për “Venusin” më të madh të gjetur deri më sot. Sipas saj, gjetja e së martës duhet të jetë rreth 6 mijë vjet e vjetër.
Sipas vlerësimeve të para, figurina i përket periudhës së vonë të neolitit në kulturën e Vinçës, kurse për lokalitetin arkeologjik është thënë të jetë “më i vjetër se piramidat në Egjipt”.
Sipas mediave në Serbi, drejtori i Muzeut në Aleksandrovac, Ivan Brboriq dhe arkeologia Sanja Crnobrnja-Krasiq , së cilës i kreditohet zbulimi, kanë pranuar thirrje nga e gjithë bota.
“Hamendësimet janë konfirmuar se ka pasur një qendër fetare të kulturës së Vinçës në Vitkovo, për shkak se Venusi i gjetur është më e gjatë se 30 centimetra. Ne kemi bërë gjurmime të rregullta të terrenit për shkak se banorëve të fshatit iu nevojitej furnizimi me ujë. Nga fundi i kërkimeve, ne kemi ardhur te zbulimet që do të kënaqin botën – vendi ynë është më i vjetër se piramidat egjiptiane”, citohet të ketë thënë Crnobrnja-Krasiq.
Ajo ka theksuar se konservimi i këtij “zbulimi të mahnitshëm” arkeologjik është në vazhdim e sipër.
Por sipas arkeologëve nga Kosova, kjo figurinë e përbërë nga argjila e pjekur është e njëjtë me idhullin e gjetur te lokacioni “Tjerrtorja” në Prishtinë dhe që është pagëzuar prej vitesh si “Hyjnesha në fron”. E fragmentuar në disa pjesë, figurina e zbuluar në fshatin serb ka formën e njëjtë të trupit me duart e vendosura në bel.
Arkeologu Naser Ferri ka thënë për gazetën e Prishtinës “Koha Ditore”, se figurina e gjetur në Vitkovo është e njëjtë me ato gjetje gjithandej territorit të Kosovës.
“Është e punuar në të njëjtin stil si figurinat e gjetura në Tjerrtore dhe në disa lokalitete të tjera kosovare (Fafos I e Fafos II, Vallaç, Barilevë) që i përkasin të ashtuquajturit “variant kosovar të kulturës së Vinçës” me të vetmin ndryshim që është më e madhe (30 cm gjatësi) në krahasim me atë të Tjerrtorës (18.5 cm), Fafosit (20 dhe 26 cm), Vallaçit (20.5 cm), dhe të Barilevës (26.5 cm)”, ka thënë arkeologu Naser Ferri.