Live

Në Serbi gjendet një kopje e “Hyjneshës në Fron”, mediat serbe e konsiderojnë “zbulim epokal”

09:26 / 14 Gusht 2019

Nga Kosova Live

Një ekip arkeologësh serb po pretendon se ka bërë një zbulim “epokal”, pasi ka gjetur në fshatin Vitkovo afër Aleksandrovacit një objekt prej argjile të Venusit, shumë i ngjashëm me Hyjneshën në Fron të gjetura shumë kohë më parë tek Tjerrtorja në Prishtinë.

Zbulimi i kësaj  figurine po shoqërohet me një bujë të madhe  në mediat serbe. Falë Arkeologia serbe Sanja Crnobrnja-Krasiq ka thënë se bëhet fjalë për “Venusin” më të madh të gjetur deri më sot. Sipas saj, gjetja e së martës duhet të jetë rreth 6 mijë vjet e vjetër.

Sipas vlerësimeve të para, figurina i përket periudhës së vonë të neolitit në kulturën e Vinçës, kurse për lokalitetin arkeologjik është thënë të jetë “më i vjetër se piramidat në Egjipt”.

Sipas mediave në Serbi, drejtori i Muzeut në Aleksandrovac, Ivan Brboriq dhe arkeologia Sanja Crnobrnja-Krasiq , së cilës i kreditohet zbulimi, kanë pranuar thirrje nga e gjithë bota.

“Hamendësimet janë konfirmuar se ka pasur një qendër fetare të kulturës së Vinçës në Vitkovo, për shkak se Venusi i gjetur është më e gjatë se 30 centimetra. Ne kemi bërë gjurmime të rregullta të terrenit për shkak se banorëve të fshatit iu nevojitej furnizimi me ujë. Nga fundi i kërkimeve, ne kemi ardhur te zbulimet që do të kënaqin botën – vendi ynë është më i vjetër se piramidat egjiptiane”, citohet të ketë thënë Crnobrnja-Krasiq.

Ajo ka theksuar se konservimi i këtij “zbulimi të mahnitshëm” arkeologjik është në vazhdim e sipër.

Por sipas arkeologëve nga Kosova, kjo figurinë e përbërë nga argjila e pjekur është e njëjtë me idhullin e gjetur te lokacioni “Tjerrtorja” në Prishtinë dhe që është pagëzuar prej vitesh si “Hyjnesha në fron”. E fragmentuar në disa pjesë, figurina e zbuluar në fshatin serb ka formën e njëjtë të trupit me duart e vendosura në bel.

Arkeologu Naser Ferri ka thënë për gazetën e Prishtinës “Koha Ditore”, se figurina e gjetur në Vitkovo është e njëjtë me ato gjetje gjithandej territorit të Kosovës.

“Është e punuar në të njëjtin stil si figurinat e gjetura në Tjerrtore dhe në disa lokalitete të tjera kosovare (Fafos I e Fafos II, Vallaç, Barilevë) që i përkasin të ashtuquajturit “variant kosovar të kulturës së Vinçës” me të vetmin ndryshim që është më e madhe (30 cm gjatësi) në krahasim me atë të Tjerrtorës (18.5 cm), Fafosit (20 dhe 26 cm), Vallaçit (20.5 cm), dhe të Barilevës (26.5 cm)”, ka thënë arkeologu Naser Ferri.

Shpërndaje në

U Kopjua

SONDAZH

Kë do e votoni me 9 shkurt 2025 për kryeministër?

Shiko Rezultatin

Loading ... Loading ...