Në situatën kritike të lirisë së mediave pas publikimit të raportit, Vetëvendosja po vazhdon arsyetimet. Kësaj radhe përmes zëdhënësit të Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu.
Kryeziu ka thënë se në Kosovë nuk ka mungesë të lirisë së shtypit, por rënie të standardit të mediave,duke e nënçmuar sërish raportin se nuk e pasqyron “gjendjen e vërtetë” .
“Ajo çka shohim ndër vite është rënie e standardit të mediave. Kur ky standard në rënie ballafaqohet me kundërpërgjigje si nga qytetarët ashtu edhe nga institucionet që janë subjekte të raportimeve joprofesionale, ato cilësohen si sulme dhe kërcënime, që pastaj përfshihen në raporte ndërkombëtare si ky i Reporterëve pa Kufij”, tha Kryeziu.
Këtë vit, Kosova është më keq se shtetet e Ballkanit Perëndimor, por sipas Kryeziut, renditja nuk është pasqyrim korrekt i situatës.
Rënia drastike e Kosovës në indeksin vjetor për lirinë e shtypit të organizatës “Reporterët pa Kufij” ka ngjallur reagime të forta në vend. Kjo rënie është cilësuar si më e keqja në 15 vitet e fundit sa i përket lirisë së medias.
Për të dytin vit radhazi, Kosova ka shënuar regres në këtë indeks, duke u renditur sivjet në vendin e 99-të nga 180 shtete.
Shumica e akterëve publikë kanë drejtuar gishtin kah Lëvizja Vetëvendosje, duke e fajësuar për përkeqësimin e situatës, ndërsa kjo e fundit ka minimizuar rëndësinë e raportit, duke e nënçmuar.