Ka një fakt shumë interesant te kombëtarja e Holandës që po merr pjesë në Qatar 2022. Pjesë e saj janë edhe babë e bir, Danny e Daley Blind. I pari është trajner, e i dyti lojtar.
Kur Daley shënoi gol, në ndeshjen e parë të fazës së nokautit ndaj Amerikës, menjëherë shkoi ta përqafojë babanë e tij, te stafi i trajnerëve.
Raporti mes tyre pos që është i veçantë, është edhe i jashtëzakonshëm pasi edhe Danny, si Daley, dikur ishte lojtar i Holandës.
“Mbaj mend se për herë të parë kam shkuar ta shoh duke luajtur kur kam qenë 6 vjeç, në shkallët e stadiumit të Ajaxit”, ka thënë Daley, në një intervistë për FIFA, përcjellë klankosova.tv. “Nuk kam pritur se do të jem një lojtar i kombëtares së Holandës, e aq më pak të arrij atë që ka arritur babai im. Jam shumë krenar për karrierën që kishte. Mendoj se është fantastike ajo çfarë kemi bërë për emrin Blind”.
Daley ka thënë se tashti gjatë Qatar 2022, pos që punon fort bashkë me babanë, pi kafe shpesh me të. Kjo, siç thotë ai, është diçka më shumë se të jesh vetëm një pasardhës i tij.
“Të dy po e përjetojmë e shijojmë këtë Kupë të Botës, sikur që ndodhi edhe më 2014”, vazhdoi ai. “Për ta përjetuar këtë e po ashtu për të qenë njëri lojtar e tjetri trajner, është edhe më e veçantë”.
Sidoqoftë, Daley mendon se vetë është lojtar më i mirë se babai Danny.
Më poshtë është pjesa e intervistës ku ai flet konkretisht për këtë gjë.
Gazetarja: Kush është futbollist më i mirë nga ju të dy?
Daley: Unë.
Gazetarja: Pse?
Daley: Kjo është ajo që unë mendoj! Unë besoj se babai im është më shumë si një lider. Atë e karakterizon më tepër lidershipi dhe po, ishte një futbollist, mbrojtës i mirë. Por mendoj se unë jam futbollist më i mirë.
Gazetarja: A ka garë mes juve?
Daley: Po, definitivisht po. Ajo po bëhet më e shprehur çdo vit. Unë kam 97 paraqitje.
Gazetarja: E babai yt 42.
Daley: Po, e saktë.
Gazetarja: Pra ju e keni kaluar?
Daley: Po, por në disa fusha ai është ende para meje. Sidoqoftë, në të gjitha garat unë po i afrohem.
Holanda, të premten, luan me Argjentinën, çerekfinalen e parë të Qatar 2022.