Live

Nga BE-ja tregojnë pse Kallas nuk do ta vizitojë Kosovën

21:42 / 06 Prill 2025

Nga Kosova Live

Përfaqësuesja e Lartë e Politikës së Jashtme të BE-së, Kaja Kallas, do të qëndrojë në Tiranë më 8 prill.

Lidhur me vizitën e saj në Ballkanin Perëndimor, zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, ka treguar se pse Kaja Kallas nuk do ta vizitojë Kosovën e as Serbinë.

Ajo ka deklaruar se Kallas për shkak të kufizimeve kohore, nuk mund të vizitojë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

“Përfaqësuesja e Lartë e Politikës së Jashtme të BE-së mbetet plotësisht e përkushtuar për të gjithë rajonin dhe vizitat e ardhshme në vendet e tjera tashmë janë duke u planifikuar. Mbështetja e BE-së për stabilitetin dhe integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor mbetet një prioritet”, ka deklaruar Hipper për KlanKosova.

Kallas në Mal të Zi, do të takohet me presidentin Jakov Milatoviq dhe kryeministrin Milojko Spajiq.

Ajo do të takohet gjithashtu me organizata të shoqërisë civile dhe do të marrë pjesë në një rishikim të pajisjeve të financuara nga Fondi Europian i Paqes me ministrin e Mbrojtjes të këtij vendi.

Një konferencë e përbashkët për shtyp me kryeministrin Spajiq është planifikuar për në orën 10:40, thuhet në njoftimin e BE-së.

Ndërkaq, në Shqipëri, Kallas do të takohet me presidentin Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama.

Një konferencë e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama është planifikuar për datën 8 prill në orën 10:25.

Përfaqësuesja e Lartë Kallas do të takohet edhe me ministrin për Europën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani dhe ministrin e Mbrojtjes, Pirro Vengu.

Ajo do të hapë bashkërisht Dialogun e parë BE-Shqipëri për Sigurinë dhe Mbrojtjen me ministrat Hasani dhe Vengu.

Gjithashtu, ajo do të marrë pjesë në nënshkrimin e marrëveshjeve të grantit dhe kredisë së Bankës Europiane të Investimeve për zhvillimin e hekurudhës Durrës-Rrogozhinë.

Përfaqësuesja e Lartë Kallas do t’u drejtohet edhe studentëve të universitetit dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile.

Në Bosnje dhe Hercegovinë, kryediplomatja e BE-së do të vizitojë trupat e EUFOR Althea dhe do të takohet me anëtarët e Presidencës së Bosnje-Hercegovinës. Ajo do të takohet edhe me kryetaren e Këshillit të Ministrave Borjana Kristo dhe ministrin e Jashtëm Elmedin Konakoviq. Një takim i përbashkët për shtyp me Presidencën është planifikuar për më 8 prill. 

Shpërndaje në

U Kopjua