Presidenti amerikan, Donald Trump, me 4 shtator të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë arriti t’i bëjë bashkë Kosovën dhe Serbinë për nënshkrimin e një marrëveshjeje, që kishte motiv nxitjen përpara të arritjes së marrëveshjes finale. Në këtë takim, siç e quajti historik vet presidenti Trump, ai tha se Serbia dhe Kosova ranë dakord të normalizojnë marrëdhëniet ekonomike. Gjatë këtij takimi me ndërmjetësimin e presidentit Trump ndodhi edhe zotimi i kryeministrit të Izraelit Netanjahu për ta njohur Kosovën.
E njëri nga nënshkruesit e kësaj marrëveshjeje, ish kryeministri Avdullah Hoti reagoi me shqetësim kundrejt qasjes së qeverisë Kurti për procesin e dialogut me Serbisë dhe raportet me aleatët.
Arsye për reagimin e Hotit, u bë një deklaratë që e dha ambasadorit amerikan në Kosovë Jeff Hovenier për gazetarin e njohur Tim Judah, kur tha se tash nuk është e mundur që Serbia t’a njoh Kosovën.
Ndërsa sipas Hotit, qeveria e ka katandisur vendin aq keq sa që SHBA-të po thonë se nuk është koha për njohje.
Analisti politik Dritëro Arifi, duke e komentuar deklaratën e ambasadorit amerikan Hovenier se njohja reciproke mes Kosovës dhe Serbisë nuk është e mundur tani, tha se përgjegjësinë për këtë e mban qeveria aktuale por edhe qeveritë e kaluara.
“Mirëpo qeveritë e Kosovës apo Qeveria aktuale e Kosovës nuk ka lëvizur nga pika A në pikën B dhe për shkak të dëmtimit të procesit të dialogut, tash SHBA-të po kërkojnë një rrugë të ndërmjetshme, pra një alternativë tjetër. Një pajtim po themi mes shteteve apo vendeve Kosovë – Serbi por pa njohjen reciproke, për shkak se SHBA-të që për momentin rrethanat nuk janë të favorshme për këtë qështje. Pra duke dashur që Serbinë ta avancojnë në integrime, por pa e njohur Kosovë, njëfarë mënyre që ta fusin nën ombrellën e familjes së Euroatlantike. Dhe tash Kosova ka mbetur peng i së kaluarës të vet. Ne jemi në një proces ku nuk po dimë realisht Kosova, as nuk po dinë çfarë dëshire kemi se si e shohim edhe Kosovën brenda dhe me raportet me SHBA-në nëse jemi kaq kokëfortë në qështjen e procesit të dialogut”.
Më tej, Arifi në një intervistë për Kosovalive.net tha se nëse qeveria nuk del me një material se çka dëshiron në tryezën e SHBA-së kjo qeveri do t’a dëmtoj edhe më shumë procesin e dialogut.
“Besoj që leksionet e marra kanë dhënë ndonjë rezultat po themi në mënyrat e të menduarit të Qeverisë së Kosovës. Nëse nuk kanë dhënë rezultat mund ta dëmtojnë edhe më shumë procesin sesa që është tash. Nëse kanë mësuar mësimet nga këto deklarata, kjo nuk është deklarata e parë këtë e ka thënë edhe zoti Escobar, atëherë qeveria e Kosovës duhet që të ulet me një strategji se çka mund t’i ofrojë komunitetit serb në Kosovë. T’i marrë të gjitha modelet në Evropë që janë për pakicat dhe ta ofrojë një model në tavolinë SHBA-ve, ky është modeli jonë që e ofron për serbët e Kosovës. Serbët e Kosovës do të marrin të drejta shtesë atë të gjithë e dinë vetëm që qeveria e Kosovës nuk dëshiron ta pranojë dhe kjo tash e ka devijuar procesin. Nëse nuk janë të qartë në atë se çka dëshiron qeveria e Kosovës t’i ofrojë serbëve lokal atëherë besoj që kërkesat e serbëve do të rritën edhe me shumë”.
Pas zhvillimeve dramatike në veriun e shtetit, tashmë nuk ka asnjë lajm nëse Kosova e Serbia do të vazhdojnë rundet e takimeve në Bruksel për të biseduar mbi planin Franko-gjerman. Në fakt nuk dihet më asgjë se cfarë po ndodhë.
Krejt çka dihet deri më tash është se kryeministri Kurti ka paralajmëruar marrëveshjen final deri në pranverë të këtij viti e në të njëjtën kohë SHBA-të dhe BE po i kërkon çdo ditë Kosovës që ta bëjë asociacionin e komunave me shumicë serbe, në të kundërtën siç ka thënë emisari amerikan Escobar, këtë do ta bëjnë vet ata./Kosovalive.net/