Live

Nis fushata kundër shtrenjtimit të rrymës: Nuk mund të përballohet rritja e çmimeve

07:45 / 15 Mars 2025

Nga Kosova Live

Pak orë pasi ZRRE-ja njoftoi se ka propozuar shtrenjtimin e rrymës për 15 për qind duke filluar nga muaji prill, ka nisur një fushatë kundër këtij propozimi.

“Asnjecentmeshume” është slogani i kësaj fushate që do të nisë për të kundërshtuar shtrenjtimin e rrymës.

Iniciatori i kësaj fushate është Luan Hasanaj, i cili tha se shumica e qytetarëve nuk mund të përballojnë rritjen e çmimeve.

“Miq, po e nisim një fushatë #ascnjecentmeshume për të e kundërshtuar propopzimin e ZRRE-së për shtrenjtimin e energjisë elektrike. Arsyet janë të bollshme, secili prej nesh i dinë. Shumica e qytetarëve të Kosovës nuk mund të e përballojnë rritjen e çmimeve”, ka thënë Hasanaj.

Vitin e kaluar, ZRRE-ja e uli çmimin për konsumatorët komercialë dhe industrialë për 3 për qind. Por, një vit më herët, më 2023, tarifat u rritën për 15 për qind për të gjitha kategoritë e konsumatorëve.

Aktualisht, për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovatë në orë brenda një muaji, çmimi i rrymës gjatë ditës është 7.79 centë për kilovat, ndërsa për ata që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë, pjesa mbi këtë u llogaritet me çmim prej 14.45 centësh.

Nga ora 22:00 deri në 7:00 të mëngjesit, çmimi për kilovat është 3.34 centë për ata që shpenzojnë deri në 800 kilovatë dhe 6.81 centë për ata që shpenzojnë më shumë.

Shpërndaje në

U Kopjua