Live

Nis gjykimi i parë në mungesë për krime lufte në Kosovë

13:56 / 20 Nëntor 2023

Nga Kosova Live

Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë ka nisur gjykimi i parë në mungesë për krime lufte, ndaj të akuzuarit Çedomir Aksiq. Ai akuzohet për krime lufte të kryera gjatë periudhës janar-maj të vitit 1999 në Kosovë.

Në seancën e shqyrtimit fillestar, të cilën e drejtoi kryetarja e trupit gjykues, Violeta Namani-Hajra, si mbrojtës i Aksiqit është paraqitur Zharko Gajiq.

Prokurorja Habibe Salihu tha se i kanë shfrytëzuar të gjitha mundësitë ligjore me qëllim që të sigurohet prania e të akuzuarit, por kjo nuk është arritur.

“U vërtetua dyshimi i bazuar mirë se i akuzuari Çedomir Aksiq, në periudhën kohore janar-maj 1999, duke bashkëvepruar me një grup njerëzish kriminal, tani për tani të paidentifikuar, të organizuar, të veshur me uniforma policore, paramilitare, ushtarake, ka shkaktuar vuajtje të mëdha apo cenim të integritetit trupor ose të shëndetit, frikësim ndaj popullatës së pambrojtur civile, vrasje, urdhërim për zhvendosjen e popullatës civile për shkaqet që lidhen me konfliktet e luftës, drejtuar me qëllim kundër popullsisë civile ose ndaj individëve të veçantë civilë që nuk marrin pjesë drejtpërdrejt në konflikt apo luftë”, tha Salihu derisa lexoi aktakuzën ndaj Çedomir Aksiqit.

Sipas aktakuzës, adresa e Aksiqit, i cili nuk ishte i pranishëm në gjykimin ndaj tij, është në Naupare-Krushevac në Serbi, ndërsa vendi i lindjes është në Shtime.

“Në këto momente nuk do të shtoj asgjë derisa t’i shqyrtoj të gjitha provat në afat prej 30 ditësh”, tha mbrojtja e Çedomir Aksiqit, avokati Zharko Gajiq, pasi dëgjoi aktakuzën e lexuar nga prokurorja.

Në fund të seancës, gjyqtarja e rastit, Violeta Namani-Hajra, e udhëzoi mbrojtësin e të akuzuarit që të paraqesë kërkesën për të hedhur poshtë aktakuzën apo për t’i kundërshtuar provat, në një afat prej 30 ditësh

Sipas aktakuzës, Çedomir Aksiq, së bashku me pjesëtarë të tjerë të forcave serbe, kishte urdhëruar dëbimin e banorëve të lagjes në pikën e quajtur “Kodra e Gështenjave”, vend midis fshatrave të Mulapolc, Reçak dhe Petrovë, në komunën e Shtimes.

Aktakuza thotë se ata më pas kishin djegur shtëpitë e të dëmtuarave duke u shkaktuar kështu dëme morale dhe materiale.

Sipas aktakuzës, në vendin e quajtur “Lugu i Neshës”, në Petrovë të Shtimes, Çedomis Aksiq e kishte ekzekutuar një person, familjen e të cilit paraprakisht e ndaluar.

Gjithashtu, sipas aktakuzës, Aksiq kishte marrë pjesë në vrasjen e Hajriz Brahimit, Hakin Muratit, Sabri Muratit, Arif Muratit, Ahmet Mustafes, Sadik Mujotës, Skënder Halitit dhe Hanumshahe Mujotës, në Reçak.

Sipas aktakuzës, Aksiq është i lindur në Shtime, por adresa e tij aktuale është në Serbi. Aktakuza ndaj Çedomir Aksiqit, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ishte ngritur më 4 maj të këtij viti.

Ky është rasti i parë i gjykimit në mungesë, me të cilin përballet gjykata në Prishtinë dhe lejohet me Kodin e ri të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës./kosovalive.net

Shpërndaje në

U Kopjua