Live

NISMA e gatshme për koalicion me PDK-në

07:54 / 07 Gusht 2019

Nga Kosova Live

Ish-Kryetari i Kuvendit të Kosovës dhe aktualisht kryetari i Këshillit Kombëtar të NISMA-Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, ka thënë se partia e tij nuk duhet ta përjashtonte mundësinë e koalicioneve me asnjë parti politike, dhe ka shtuar se ajo do të mund të hynte në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK).

Në një letër të gjatë që ua ka dërguar të martën mbrëma medieve, Krasniqi ka  shprehur një sërë kushtesh për një koalicion të tillë.

Sipas tij, në një situatë të tillë, sikur të ndodhte oferta për koalicion me PDK-në, Nisma Socialdemokrate do të duhej t’i parashtronte kërkesat e saja dhe kërkesat do të ishin:

1. Kandidati për Kryeministër nga ky koalicion do të duhej të ishte një kandidat (shumë kompetent e jo si deri më tani) që nuk është Kryetar i subjekteve politike (është e preferueshme). Mbase në një situatë të tillë, kandidati duhet të jetë nga NISMA Socialdemokrate, Kandidati duhet të disponojë përvojë politike dhe institucionale të njohur nga publiku ynë.

2. Lista e kandidatëve për deputet duhet të miratohej edhe të nënshkruhej nga kandidati për Kryeministër i cili duhet t’i njeh mirë kapacitetet politike, intelektuale, profesionale e kombëtare dhe jo vetëm të këtyre dy partive politike;

3. Programin Zgjedhor e qeverisës për të ardhmen duhet të miratohet edhe nga kandidati për Kryeministër dhe ai program duhet të ketë frymën dhe përmbajtjen e Socialdemokracisë dhe me kushtin që ai Program ta kishte edhe miratimin e firmën e tij;

4. Madje, pa pajtimin e kandidat për Kryeministër nuk duhet të ketë asnjë Ministër e as numër të ministrive. Kabineti qeveritar nuk do të duhej ta kalonin numrin prej më se shumti 14 -15 ministrive. Ky numër do të vlente edhe për zëvendës ministrat;

5. Pastaj, Ligji i parë që do t’i dërgohej Kuvendit të ri për miratim duhet të jetë ligji për QEVERINË. Ndonëse, në Kushtetutë duhet të sanksionohet Kabineti Qeveritar; dhe

6. Se paku një e treta e drejtuesve të ministrive do të duhej të jenë femra, por që të gjithë pa përjashtim gjinie duhet të jenë kompetent/e për përgjegjësitë që marrin.

“Pra nëse PDK do të pranonte ketë ofertë, unë do t’i propozoja Këshillit Kombëtar të NISMËS Socialdemokrate të hynte në koalicion parazgjedhor me te. Pa një ofertë të tillë publike nga PDK apo ndonjë parti tjetër, unë jo vetëm që nuk do t’i sugjeroja KK të NISMËS Socialdemokrate koalicion e mundshëm, por do ta kundërshtoja fuqishëm”, ka thënë ai.

E Krasniqi ka thënë se qëllimi i këtyre kërkesave është që të ndërpriten pazaret politike (siç ka ndodhur shpesh deri më tani), të fillohet me koalicione transparente me qellim që në Kosovë të ndërpritet keqqeverisja dhe të fillon funksionimi i institucioneve Kushtetuese sipas ligjeve në fuqi.

“Duke e njohur përvojën e koalicioneve të deritashme jam i bindur se një ofertë e tillë serioze vështirë që do të ndodhë, prandaj nuk do të ndodhë as koalicioni: Nisma Socialdemokrate – Parti Demokratike të Kosovës”, ka thënë Krasniqi, teksa ka sugjeruar partive të tjera politike, nëse vendosin të bëjnë koalicione parazgjedhore e pas zgjedhore, të jenë transparente dhe të kenë qellim Qeverisjen e mirë e me njerëz kompetentë, ka shkruar Jakup Krasniqi në letrën dërguar medieve.

Shpërndaje në

U Kopjua