Live

OAK thotë se ATK-ja po tenton të ndërhyjë në pavarësinë e tyre, i quan “gjueti shtrigash”

21:03 / 12 Prill 2025

Nga Kosova Live

Oda e Avokatëve të Kosovës (OAK) ka shprehur shqetësim të thellë dhe ka reaguar ashpër ndaj një kërkese të Departamentit të Hetimeve Tatimore dhe Inteligjencës së Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), e cila kërkon që një numër i madh avokatësh të dorëzojnë të dhëna të ndjeshme brenda një afati të shkurtër.

Kërkesa përfshin informata konfidenciale për klientët, bashkëpunimet me sektorin publik dhe privat, si dhe pasqyrat financiare për periudhën 2019–2024.

Përmes një reagimi publik, OAK e ka cilësuar këtë kërkesë si të papranueshme dhe në kundërshtim të plotë me parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës.

Po ashtu, theksuan se kërkesa përbën një “veprim arbitrar dhe të paarsyetuar ligjërisht,” duke e krahasuar atë më shumë me një “gjueti shtrigash” se sa me një procedurë tatimore të mbështetur në ligj.

“Avokatët nuk janë mbi ligjin dhe nuk kërkojnë një trajtim të tillë. Ajo që kërkojmë është siguri juridike, trajtim dinjitoz dhe respekt për rolin tonë në sistemin e drejtësisë,” thuhet tutje në reagim.

Gjithashtu, OAK ka shprehur shqetësimin e saj për faktin se në listën për dorëzimin e të dhënave janë përfshirë edhe avokatë që nuk jetojnë më.

Tutje thuhet se kërkesa e ATK-së nuk ofron sqarime të qarta nëse bëhet fjalë për një kontroll të zakonshëm tatimor, hetim penal apo inspektim tematik, duke e konsideruar mungesën e sqarimit një precedent të rrezikshëm dhe një ndërhyrje të papranueshme në pavarësinë e profesionit.

OAK ka paralajmëruar se do të drejtohet menjëherë te autoritetet përkatëse, përfshirë Drejtorin e ATK-së, Ministrin në detyrë të Financave dhe Kryeprokurorin e Shtetit, për të kërkuar sqarime dhe ndërprerjen e menjëhershme të kësaj praktike.

“Ky është një sulm ndaj integritetit të profesionit, ndaj besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë dhe ndaj parimit themelor të konfidencialitetit avokat-klient,” theksohet në fund të reagimit të OAK-së, të nënshkruar nga Besnik R. Berisha, kryetar i OAK-së, dhe Naim Rudari, nënkryetar.

Përfundimisht, OAK ka ftuar të gjithë avokatët të qëndrojnë të bashkuar dhe të mbrojnë me integritet dhe vendosmëri profesionin e tyre.

Shpërndaje në

U Kopjua