PRISHTINË | 16 DHJ 2019 | Nga KosovaLive
Të dielën në mëngjes, më pak se 24 orë pasi që pa lojtarët e tij duke rritur epërsinë në krye të Premier Leagues në dhjetë pikë, Juergen Klopp me skuadrën e tij të Liverpoolit nisën fluturimin për në Katar për Botërorin e klubeve.
Do të stërviten të hënën (sot) në Doha, ku do të kenë një numër të angazhimeve deri pasdite, shkruan “The New York Times”, transmeton Koha Ditore. Të martën, Klopp do të bëjë prekjet e fundit në planet e tij për ndeshjen gjysmëfinale të skuadrës së tij, që do ta luajë të mërkurën.
Të dielën në mëngjes, Neil Critchley, kryetrajneri i skuadrës U-23 të Liverpoolit, ka nisur përgatitjet për ndeshjen më të madhe të karrierës së tij.
Të hënën (sot), ai do të jetë në qendrën stërvitore të Liverpoolit në Melwood për të dhënë konferencë për media para përballjes çerekfinale të League Cup kundër Aston Villas. Ajo ndeshje do të luhet të martën mbrëma.
Për 72 orë, Liverpooli do të jetë një klub i ndarë në dysh: dy ndeshje, në dy gara, në dy kontinente, në dy ditë. Është një orar që kërkon dy kryetrajnerë. Sigurisht se nuk është një ndarje e barabartë, pasi që Klopp e merr skuadrën më të fortë në Katar, duke lënë Critchleyn me lojtarë të rinj që të luftojë ndaj Aston Villas. Kjo lë të kuptohet qartë se ku janë prioritetet e Liverpoolit.