Live

Osmani në Bullgari për Procesin Aqaba, do të flasë për luftën kundër terrorizmit

08:37 / 04 Prill 2025

Nga Kosova Live

Presidentja Vjosa Osmani, me ftesë të Mbretit të Jordanisë, Abdullah II dhe presidentit të Bullgarisë, Rumen Radev, po qëndron në Bullgari, për ta përfaqësuar Kosovën krahas liderëve të tjerë në Takimin e nivelit të lartë të Procesit Aqaba për Ballkanin III, i cili do të mbahet në Sofje.

Në kuadër të vizitës në Sofje, ajo do të mbajë fjalim në hapje të Samitit si dhe do zhvillojë takime të ndara bilaterale me disa nga liderët pjesëmarrëse.

Gjatë këtyre takimeve, do të diskutohet thellimi i marrëdhënieve bilaterale, avancimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe forcimi i përpjekjeve të përbashkëta për stabilitetin rajonal.

Ky takim organizohet nën patronazhin e Mbretërisë Hashemite të Jordanisë dhe Republikës së Bullgarisë dhe synon të forcojë bashkëpunimin rajonal dhe ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit, transmeton Klankosova.tv.

Procesi Aqaba, i iniciuar nga Mbreti Abdullah II i Jordanisë në vitin 2015, ka luajtur një rol kyç në koordinimin e përpjekjeve globale kundër terrorizmit dhe adresimin e sfidave të sigurisë.

Sipas një njoftimi të presidencës të enjten, Osmani do të theksojë angazhimin e suksesshëm të Kosovës në luftën kundër terrorizmit dhe radikalizmit, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët dhe partnerët strategjikë.

Në këtë kuadër, ajo do të riafirmojë përkushtimin e Kosovës për sigurinë rajonale dhe për forcimin e kapaciteteve të institucioneve të saj të sigurisë në përputhje me standardet euroatlantike.

Atje, e para e shtetit është takuar një ditë më parë me homologun e saj kroat, Zoran Milanoviq, në Sofje.

Në një postim në Facebook, ajo ka deklaruar se Kroacia mbetet aleate e çmuar e Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë rajonale.

Shpërndaje në

U Kopjua