Live

Osmani para presidentit letonez: BE-ja të ketë një përgjigje të qartë ndaj Serbisë

14:57 / 20 Mars 2025

Nga Kosova Live

Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se Bashkimi Europian duhet të ketë një përgjigje të qartë ndaj Serbisë dhe veprimeve të saj destabilizuese ndaj Kosovës dhe rajonit.

“Përderisa shteti dhe rajoni ynë akoma përballen me veprime destabilizuese të Serbisë është me rëndësi që BE-ja të ketë një përgjigje të qartë ndaj veprimeve të tilla që synojnë që rajonin tonë ta kthejnë drejt së kaluarës dhe konflikteve. Kosova ka bërë çmos që të kontribuojë në stabilitetin rajonal, përkundër faktit që këto dy vite të fundit vazhdimisht kemi pasë sulme agresioni nga Serbia në veri me synimin e qartë që të aneksohet territori ynë, sipas modelit rus të aneksimit. Ne i kemi bërë ballë me sukses këtyre synimeve nëpërmjet forcave tona policore dhe me përkrahjen e aleatëve. Por, është me rëndësi që të ketë përgjegjësi për Serbinë si për këto sulme po ashtu edhe për sulmin ndaj ushtarëve të NATO-s në maj të 2023-ës sepse mungesa e përgjegjësisë vetëm po e inkurajon Serbinë që të vazhdojë të përdorë dhunë në rajonin tonë”.

Këtë deklarata Osmani e bëri duke folur në një konferencë të përbashkët me presidentin e Letonisë, Edgars Rinkēvičs.

“Në takimin e sotëm ne diskutuam edhe mundësitë për të zgjeruar bashkëpunimin në fusha të ndryshme, përfshirë atë të mbrojtjes, si dhe angazhimin e përbashkët për zgjerimin dhe avancimin e kapaciteteve mbrojtëse. Si rezultat i sfidave të reja të sigurisë, diskutuam edhe për modalitetet që Kosova të kontribuojë në mënyrë aktive për objektivat e përbashkëta në fushën e sigurisë për kontinentin tonë. Kosova mbetet një partner i përkushtuar në sigurinë globale dhe këtë e dëshmon mbështetja për Ukrainën”.

Shpërndaje në

U Kopjua