Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes dhe komunitetit të gazetarëve për vdekjen e fotoreporterit Alban Bujari.
Në telegram thuhet se Bujari nëpërmjet objektivit ka dokumentuar të vërtetën e Kosovës në vitet më të vështira, duke lënë një arkiv të jashtëzakonshëm kujtese dhe historie.
“Nga momentet e para të luftës së UÇK-së, ai rrezikoi jetën e tij për t`ia treguar botës imazhet që dëshmuan luftën, sakrificën dhe vuajtjen e popullit tonë. Përmes fotografive të tij, masakrat në Prekaz, Reçak dhe Rogovë nuk mbetën vetëm plagë të kujtesës sonë, por u bënë dëshmi e krimeve ndaj Kosovës para syve të botës. Me profesionalizëm dhe guxim të rrallë, ai e bëri historinë të pavdekshme përmes imazhit, duke na lënë një trashëgimi të çmuar për brezat që do të vijnë”, shkruhet në postimin e publikuar nga Presidenca.