Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka dhënë detaje mbi takimin që ka pasur me përfaqësuesin e ri të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Peter Sorensen.
Osmani tha se në takim, Sorensenit ia kanë prezantuar vërejtjet për sa i përket draft-satutit të BE-së për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Sa i përket takimit që kishim me përfaqësuesin e ri të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Sorensen, ne në detaje prezantuam vërejtjet tona për sa i përket draft-statutit të propozuar nga BE-ja dhe ky ishte më shumë një takim ku Sorenseni u njoftua rreth qëndrimeve tona, sesa që morëm qëndrime nga ana e tij”.
“U dakorduam që këto diskutime të vazhdojnë edhe më tej për shkak se shumë prej tyre janë në nivel ekspertësh. Po flasim për çështjen e draft-statutit të Bashkimit Evropian, që unë personalisht besoj se nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës, nuk është në përputhje as me vlerat dhe BE-së, e as standardet e Këshillit të Evropës pastaj. Dhe po ashtu nuk është në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të vitit 2015”, tha Osmani, njofton Klankosova.tv.
Osmani u shpreh se një draft-statut i tillë që bie ndesh me të tria këto, nuk ka se si të hyjë në fuqi dhe se “nuk besoj që do të mund të kalonte çfarëdo testi në Gjykatën Kushtetuese”.
“Një draft-statut i tillë që bie ndesh me këto të tria, nuk ka se si të hyjë në fuqi dhe as nuk besoj se do të mund të kalonte çfarëdo testi në Gjykatën Kushtetuese, e cila tashmë ka vendosur standarde për shumë këto tema që janë brenda draft-statutit siç janë kompetencat ekzekutive të Asociacionit dhe shumë çështje të tjera në vet vendimin e saj të vitit 2015”, tha Osmani, njofton Klankosova.tv.
Tutje, e para e vendit tha se vlerësimi i Kosovës është se në tavolinën e dialogut nuk është trajtuar me parimin e barazisë, pasi tha se ka qenë një proces i njëanshëm dhe e ka dëmtuar edhe vetë kredibilitetin e procesit.
“Me lidershipin e ri të BE-së shpresojmë që ky balanc të kthehet në tavolinë dhe shpresoj që të ketë rezultate më pozitive”, tha ajo.