Live

OVL-UÇK: Paralajmërimi për dënime tjera ndaj krerëve të UÇK-së, alarm i rëndë për drejtësinë tonë

19:07 / 01 Maj 2025

Nga Kosova Live

Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së përmes një postimi në Facebook tha se shqetësimet e publikuara sot nga ekipi mbrojtës i zJakup Krasniqi që paralajmërojnë përgatitjen e dënimeve të tjera ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Prokuroria në Hagë, sipas OVL-UÇK-së,janë alarm i rëndë për drejtësinë dhe shtetin tonë.

Në reagim thuhet se këto paralajmërime konfirmojnë frikën e vazhdueshme se procesi gjyqësor ndaj drejtuesve të UÇK-së nuk ka për qëllim zbardhjen e së vërtetës, por siç thuhet, ndëshkimin politik të atyre që udhëhoqën luftën për çlirim.

“Janë bërë katër vjet e gjysmë që nga momenti kur krerët dhe pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës po mbahen në paraburgim në Hagë, në rrethana që çdo ditë më shumë dëshmojnë karakterin e padrejtë dhe të njëanshëm të këtij procesi”.

“Dënimet e deritanishme, përfshirë ato ndaj Sali Mustafës dhe Pjetër Shalës, nuk kanë qenë asgjë tjetër përveçse vendime të padrejta që, në emër të drejtësisë, kanë synuar ta godasin luftën tonë çlirimtare. Luftëtarët e lirisë që sot gjenden pas grilave, janë burrat që kontribuuan në çlirimin e vendit dhe themelimin e shtetit të Kosovës. Në vend që të nderohen, ata po përballen me një proces që më shumë ngjan me ndëshkim politik sesa me drejtësi ndërkombëtare”, thuhet në reagim.

OVL-UÇK tha se kjo gjykatë nuk ka për synim vetëm ndjekjen e individëve të caktuar, po sipas tyre, “tenton të dëmtojë legjitimitetin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe, përmes saj, edhe shtetësinë e vetë Kosovës”.

“Çdo dënim i mundshëm ndaj drejtuesve të UÇK-së do të paraqiste jo vetëm një padrejtësi personale, por një sulm të drejtpërdrejtë ndaj vetë frymës së lirisë dhe sakrificës së popullit tonë. I bëjmë thirrje institucioneve të Republikës së Kosovës që të trajtojnë me seriozitet dhe vëmendje të plotë zhvillimet në këtë proces. Heshtja institucionale në këto rrethana është e papranueshme. Është detyrë shtetërore dhe kombëtare që të mbrohet e vërteta e luftës sonë çlirimtare dhe të kërkohet drejtësi reale, jo ndëshkim politik”, thuhet tutje në reagimin e OVL-UÇK-së.

Shpërndaje në

U Kopjua