Live

Pasi u sulmua nga tifozët në Gjilan, gjyqtari bëhet për spital – Zbulohet gjendja e tij

21:05 / 25 Tetor 2019

Nga Kosova Live

Kryetari i Komisionit të Gjyqtarëve në kuadër të Federatës së Futbollit të Kosovës, Përparim Hasani, ka bërë të ditur se gjyqtari Meriton Berisha, i cili sulmua fizikisht në Gjilan, nuk po ndihet mirë dhe se ai ka bërë incizime në kokë.

Meriton Berisha u sulmua fizikisht nga disa persona menjëherë pas fitores së Gjilanit 3:0 kundër Llapit të mërkurën pasdite në Gjilan. Sulmi ndaj gjyqtarit anësor u konfirmua edhe nga trajneri i Llapit, Tahir Batatina, pas ndeshjes, raporton Gazeta Express.

Pastaj, Policia e Kosovës e konfirmoi se i ka arrestuar tre të dyshuar për sulmin, të cilët janë dërguar në mbajtje.

“Janë arrestuar tre të dyshuar meshkuj K-Shqiptar, pasi që të njëjtit kanë sulmuar fizikisht gjyqtarin e ndeshjes viktimën mashkull K-Shqiptar. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhej në njoftimin e Policisë së Kosovës.

Sulmi ndaj Berishës erdhi në një kohë kur disa klube kosovare, përfshirë Feronikelin, Llapin dhe Ballkanin, janë ngritur në këmbë kundër gjyqtarëve të Superligës.

E gjitha kjo situatë e krijuar e ka shtuar presionin mbi gjyqtarët për punën e tyre sipas Hasanit, i cili e zbuloi në emision sportiv Favorit në T7 gjendjen e Berishës.

“Mua më shqetëson fakti që në ndeshjen Gjilani – Llapi ndodhi ai rasti, që u sulmua gjyqtari. Me të vërtetë na kanë futur nën një presion të rëndë. Unë jam takuar edhe pas ndeshjes me Meritonin, por edhe dje e telefonova”, ka thënë Hasani në “Favorit”.

“Sot ai ka shkuar ta bëjë një incizim në kokë dhe unë shpresoj që në një të ardhme të mos ndodhin më gjëra të tilla. Ai nuk po e ndien veten mirë”.

Klubi i Gjilanit u distancua nga sulmi dhe kërkoi falje, pasi Berisha u sulmua në stadiumin e tyre në Gjilan, duke u zotuar për masa parandaluese në të ardhmen.  


Shpërndaje në

U Kopjua