Live

Pasuria e Abdixhikut: Katër prona të paluajtshme dhe kredi mbi 150 mijë euro

18:57 / 23 Prill 2025

Nga Kosova Live

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka deklaruar pasurinë e tij për vitin 2025 në formularin e publikuar nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit (APK), më 23 prill.

Në këtë deklarim, Abdixhiku ka paraqitur një listë të gjerë të pasurive të paluajtshme, të luajtshme, të ardhurave dhe detyrimeve financiare.

Katër prona të paluajtshme

Sipas deklarimit, Abdixhiku posedon katër prona të paluajtshme:

Një shtëpi prej 214 m², e blerë në vitin 2014 me vlerë 200 mijë euro, që figuron si pronë e përbashkët;

Një shtëpi të trashëguar nga prindërit me sipërfaqe prej 200 m² dhe vlerë të deklaruar prej 150 mijë euro;

Një parcelë toke prej 1500 m², e trashëguar nga gjyshërit, me vlerë 90 mijë euro;

Një banesë prej 174 m², e blerë me kredi në vitin 2023 për 260 mijë euro, gjithashtu në bashkëpronësi me bashkëshorten.

Pasuritë e luajtshme dhe aksionet

Në pasuritë e luajtshme, Abdixhiku ka deklaruar një veturë Mercedes Benz të blerë në vitin 2019 me kredi, në vlerë prej 25 mijë euro, që është në pronësi të bashkëshortes së tij.

Gjithashtu, bashkëshortja e tij mban 25% të aksioneve në kompaninë “Ampera Group”, me vlerë të deklaruar prej 2,500 euro.

Të hollat e gatshme dhe detyrimet

Sa i përket të hollave të gatshme, Abdixhiku ka deklaruar:

370 euro në llogari rrjedhëse në NLB Banka,

10 mijë euro në Raiffeisen Bank, të dyja si paga dhe kursime.

Ndërsa bashkëshortja e tij ka deklaruar 1,609 mijë euro në NLB Banka.

Në pjesën e detyrimeve financiare, janë paraqitur:

Një overdraft prej 2 mijë eurosh në Raiffeisen Bank,

29 mijë euro kredi për renovimin e shtëpisë, në emër të bashkëshortes në NLB Banka,

126 mijë euro kredi në Raiffeisen Bank për blerjen e banesës në Marigona Hill, në bashkëpronësi me bashkëshorten.

Të ardhurat vjetore

Nga pozita e deputetit në Kuvendin e Kosovës, Abdixhiku ka deklaruar një të ardhur prej 19,904 eurosh në vit. Ai gjithashtu ka të hyra prej 24 mijë eurosh nga angazhimi në Kolegjin Riinvest.

Ndërkohë, bashkëshortja e tij ka të ardhura prej 12 mijë eurosh në vit nga puna në kompaninë “Monten SHPK”.

Deklarimi i plotë i pasurisë së Lumir Abdixhikut është i qasshëm për publikun përmes faqes zyrtare të Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit.

Shpërndaje në

U Kopjua