Live

PDK alarmon për shtrenjtimin e tretë të rrymës, s’përjashton kontestimin e vendimit të ZRrE-së në Kushtetuese

18:19 / 23 Mars 2025

Nga Kosova Live

Shtrenjtimi i tretë me radhë gjatë qeverisjes së Albin Kurtit, ka bërë që Partia Demokratike e Kosovës t’i adresohet publikut përmes një konference për media – duke mos përjashtuar kontestim të vendimeve kontroverse të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, që funksionon brenda Zyrës së Kryeministrit, në Gjykatën Kushtetuese.

Ferat Shala i PDK-së tha se shtrenjtimi i serishëm i rrymës elektrike do të rëndojë jetën e qytetarëve dhe bizneseve – duke shtuar barrë edhe ashtu të rëndë.

“Vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për të detyruar bizneset të paraqiten në KEDS për tregun e hapur do të krijojë pasiguri dhe vështirësi të mëdha për ta. Për më tepër, mungesa e konkurrencës reale në tregun e energjisë do të thotë vetëm një gjë: çmime më të larta dhe kushte më të pafavorshme për konsumatorët”, tha Shala.

“Përkundrazi, duke u fshehur pas terminologjisë së “liberalizimit të tregut”, ajo po e shtyn një skenar të rrezikshëm që rëndon mbi familjet dhe ekonominë e vendit”, tha Shala.

“Bizneset po detyrohen të hyjnë në një treg të paqëndrueshëm, pa alternativa reale dhe me rrezikun e rritjes së kostove operacionale. Asnjë garanci nuk është dhënë se ky proces do të sjellë shërbime më cilësore për konsumatorët. Kjo rritje do të reflektojë edhe në një inflacion të lartë, veçanërisht për prodhimin vendor. Për Kosovën, ku tregu energjetik ka qenë shpesh subjekt i manipulimeve dhe skandaleve, ky hap është i rrezikshëm dhe i papërgjegjshëm”, tha Shala.

Ai tha se PDK nuk është kundër reformave dhe zhvillimit të tregut të energjisë, por ato duhet të ndodhin në kushte të drejta dhe transparente, ku interesi i qytetarëve dhe bizneseve vendore të jetë prioritet.

“Kjo do të thotë garantim i konkurrencës së vërtetë në treg, me më shumë furnizues dhe oferta të qarta për konsumatorët. Shtimin e kapaciteteve të reja prodhuese për të siguruar stabilitet dhe pavarësi energjetike. Krijimin e një mekanizmi mbrojtës për konsumatorët e ndjeshëm, për të shmangur goditjet e papritura në ekonomi familjare dhe biznese”, tha Shala.

“Ne nuk do të lejojmë që familjet dhe bizneset kosovare të jenë viktimat e radhës të eksperimenteve të gabuara ekonomike. Partia Demokratike e Kosovës do të përdorë të gjitha mjetet institucionale dhe ligjore për ta kundërshtuar këtë vendim të padrejtë, përfshirë kontestimin e tij në Gjykatën Kushtetuese”, tha Shala.

Shpërndaje në

U Kopjua