Lulzim Peci, drejtor i Institutit Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave (KIPRED), ka thënë se administratën Trump e sheh si rrugë drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.
Kjo pasi sipas Pecit, Ballkani do të kalojë përfundimisht në hemisferën perëndimore, derisa letrat e presidentit Donald Trump, do të thonë më mirë për Perëndimin.
“Nuk po mendohet vetëm se si të dilet nga situatat e tanishme, edhe në zbatimin e të gjitha marrëveshjeve, duke përfshirë atë të Brukselit dhe të Ohrit, por të bën edhe hapa vendimtar drejt marrëveshjes përfundimtare. Teorikisht po, praktikisht duhet të shohim, do të varet shumë edhe nga lëvizjet gjeopolitike në Evropë, të shohim edhe si do të shkojë procesi i Ukrainës. Unë sa arrij të lexojë politikën e administratës së Trumpit, po më duket që Ballkani do të kalojë përfundimisht në hemisferën perëndimore, edhe kjo ka gjasë të arrihet në marrëveshjen të cilën Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta bëjnë edhe me Rusinë për përfundimin e luftës në atë vend”.
“Letrat që i përmendte presidenti Trump do të jenë më të mira për Perëndimin për të bërë hapin vendimtar drejt normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, tha ai në emisionin “Info Magazine” të Klan Kosova.
Tutje, ish-diplomati foli edhe për takimin me emisarin e ri për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, e për të cilin tha se po shfaq optimizëm drejt normalizimit të raporteve mes dy vendeve.
“Unë kam qenë pjesëmarrës në takimin me Sorensen, ku ishin edhe përfaqësues të tjerë të shoqërisë civile. Nga ai takim mund të them se zoti Sorensen nuk ishte pesimist për sa i përket procesit të dialogut, rrezatonte optimizëm, e tha dhe vetë. Por në anën tjetër zoti Sorensen e njeh fort mirë rajonin, njeh Kosovën, Serbinë, Maqedoninë, Bosnjën, edhe mund të them se kjo bisedë ka qenë bisedë shumë përmbajtësore, e cila nuk ka qenë e ndërlidhur vetëm me zbatimin e marrëveshjeve të cilat zotit Sorensen i sheh si të domosdoshme, mirëpo edhe për përgatitjen e terrenit për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë”.