Live

Pensionohet Arsim Bajrami, profesori që ishte pjesë e hartimeve të të gjitha akteve kushtetuese të Kosovës

11:11 / 19 Mars 2025

Nga Kosova Live

Akademik Arsimi Bajrami është pensionuar sot. Profesori i njohur i fushës juridike në vend ishte pjesë e gjitha proceseve shtetformuese të Republikës së Kosovës.

Krahas punës akademike, ai ishte aktiv edhe në jetën politike duke marrë pjesë në negociatat në Rambuje për lirinë e Kosovës, negociatat e Vjenës për pavarësinë e Kosovës dhe duke qenë hartues dhe i të gjitha akteve kushtetuese nga viti 1990 e deri më sot.

Gjatë karrierës se tij ai ka qenë edhe bartës i shumë funksioneve publike politike.

Ishte deputet i zgjedhur në 5 mandate dhe ministër i qeverisë së Kosovës në dy mandate, Ministër i Administratës Publike dhe Ministër i Arsimit.

Ai ishte edhe nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë dhe Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Në profilin e tij në “Facebook”, ai ka shkruar një status ku ka falënderuar studentët dhe familjen e tij për mbështetje gjatë karrierës së tij.

“Sot është Ditëlindja ime e 65-të dhe njëkohësisht dita e pensionimit tim. Jam krenar dhe ndihem i lumtur që për 45 vjet (1979-2025) kam qenë pjesë e Universitetit të Prishtinës, si student, profesor, senator, anëtar i Këshillit Drejtues, prorektor dhe rektor. Tani, kur po pensionohem, dëshiroj t’i shpreh falënderimet e mia dhjetëra mijëra studentëve, juristëve dhe magjistrave të diplomuar, 38 doktorantëve që kam mentoruar dhe 12 asistentëve që kam ngritur dhe pavarësuar në ngritjen akademike. Po ashtu, shpreh falënderimet e sinqerta edhe për të gjithë kolegët e Fakultetit Juridik dhe Departamentit të Shkencave Politike.

Ndër të tjera, ai ka përmendur edhe rolin e tij akademik.

“Në aspektin akademik kam realizuar misionin tim, duke qenë anëtar i rregullt-Akademik i tri akademive (2012 anëtar i ASHAK, 2015 anëtar i Akademisë Evropiane të Shkencave dhe Arteve (EASA) dhe nga 2024 anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë (ASHSH)).

Për punën akademike e shkencore dhe shërbimin në shtetëndërtimin e Kosovës jam shpërblyer me shumë çmime, dekorata e mirënjohje vendore dhe ndërkombëtare. Falënderoj familjen time, nënën dhe bashkëshorten e ndjerë, kolegët, studentët dhe të gjithë miqtë e mi që më mbështetën në këtë rrugëtim”, ka shkruar Bajrami.

Shpërndaje në

U Kopjua