Banorët e fshatit Bibaj të Ferizajt po jetojnë në ferr shkaku i një rruge.
Sa herë që motorët kalojnë në rrugën e pashtruar të këtij fshati, një re pluhuri mbulon gjithçka.
Banorët, pasi lëshojnë ndonjë sharje për shoferët që s’e kanë problem të ngasin me shpejtësi, detyrohen të shtyhen në anë të rrugës, vetëm që të mos përfundojnë nën rrotat e tyre.
Shoferët e shfrytëzojnë këtë rrugë, për t’iu ikur kolonave.
Prej tre vjetësh, verë e dimër, kjo rrugë, e cila nuk është as një kilometër banorëve ia ka kthyer jetën në torturë. Rruga të shpie deri te rrethi i autostradës, por për ta çon veç në telashe.
Banorët thonë se derën e komunës e kanë zënë disa herë, gra e burra të kësaj lagjeje. Fjalët, thonë banorët, i kanë pasur të mëdha, por rezultate nuk kanë parë.
Kërkesa e tyre është e qartë, mos t’i zë edhe kjo verë në pluhur.
Nga komuna kanë thënë se realizimi i projektit ishte bllokuar para 3 vjetësh, si shkak i problemeve me kontrakuesin, me të cilin u ndërpre kontrata pas rritjes së çmimeve. Me t’u zgjidhur kjo, sipas tij dolën të tjera.
Sipas drejtorit Hajdini, problemet pronësore dhe shtyllat e tensionit të lartë që gjenden afër rrugës në fjalë, kanë penguar kryerjen e punimeve. Megjithatë, nga komuna thonë se në maj të këtij viti do të rifillojnë punimet.
Ky projekt pritet të kushtojë 20 deri 30 mijë euro.