Një mosmarrëveshje në trafik ka përfunduar me ndërhyrjen e Policisë së Kosovës dhe shoqërimin e pesë personave në stacionin policor në orët e para të mëngjesit të sotëm, në Mitrovicë të Veriut.
Rreth orës 02:00, pranë përmendores së “Car Llazar-it”, dy vetura janë ndalur pas një konflikti verbal mes drejtuesve të tyre.
Nga veturat kanë dalë dy persona, të cilët kanë filluar të shtyhen dhe të fjalosen mes vete.
Policia e Stacionit në Mitrovicën e Veriut ka reaguar menjëherë duke parandaluar që përplasja të përshkallëzohej në rrahje fizike.
Si pasojë, pesë persona – i dyshuari P.C. (31 vjeç), ankuesi N.J. (30 vjeç) dhe tre dëshmitarë – janë shoqëruar në polici për intervistim.
Rasti është paraqitur tek Prokurori i Shtetit dhe, pas konsultimeve, është iniciuar si vepër penale “Sulm”.
I dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë.