Nuk janë të rralla rastet kur zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze qoftë gjatë kryerjes së detyrave zyrtareve apo edhe jashtë detyrës, duke ua vështirësuar kështu punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën. Një rast i tillë ka ndodhur ditë më parë në Deçan.
Burimet e Gazetes Kosovalive mësojnë se këtë herë një zyrtar policor ka rënë pre e kërcënimeve përmes rrjetit social “Facebook”, ku është bërë shënjestër e fyerjeve dhe kanosjeve nga një person i panjohur.
Bazuar në informacionet e para, rasti është denoncuar nga vetë polici (emër i njohur për Kosovalive), ndërkohë që i dyshuari ende mbetet i paidentifikuar.
Lidhur me këtë rast, është njoftuar edhe Prokurori i cili ka urdhëruar inicimin e rastit si “Kanosja”, ndërkohë hetimet po kryhen nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Stacionin Policor të Deçanit.