Live

Policia: Nesër bëhet eksplodimi i kontrolluar i mjetit të dyshuar që u gjet në Kaçanik

17:07 / 29 Prill 2025

Nga Kosova Live

Policia e Kosovës ka njoftuar se të mërkurën, nga ora 09:00 deri në orën 13:00, në lagjën “Teneqja” të fshatit Stagovë në Kaçanikë, do të eksplodohet në mënyrë të kontrolluar një mjet shpërthyes që dyshohet të jetë nga lufta e dytë botërore.

Në një njoftim për media, Policia ka bërë me dije se FSK dhe KFOR kanë kryer inspektimin në vendin e ngjarjes.

Ndërkaq policia tutje ka bërë me dije masat që duhet të respektohen:

“- Zona e rrezikut është vlerësuar me një rreze prej 1000 metrash nga vendi ku ndodhet mjeti shpërthyes.

– Brenda kësaj zone ndalohet rreptësisht qëndrimi i njerëzve. Ndërsa rekomandohet largimi në vend të sigurt i kafshëve dhe makinerive.

Banorët e lagjes “Teneqja” dhe të zonës së kodrës në fshatin Stagovë luten që:

– Të mbajnë dritaret e shtëpive hapur, për shkak të valës së mundshme të shpërthimit, e cila mund të shkaktojë dëme materiale.

– Të largojnë veturat në vende të sigurta si garazhe ose pas shtëpive.

– Shërbimi i Zjarrfikësve dhe Emergjenca do të jenë në gjendje gatishmërie dhe të pranishëm në një zonë të sigurt, për të reaguar në rast nevoje.

– Policia do të njoftojë banorët përreth dhe do të sigurojë që, në datën dhe orët e lartcekura, të mos ketë persona jashtë shtëpive”.

Po ashtu, “këshillohet që banorët brenda rrezes 1000 metra të largohen nga shtëpitë para fillimit të operacionit dhe të qëndrojnë larg deri në përfundim të eksplodimit”.

Shpërndaje në

U Kopjua