Live

Presidenti i Emirateve të Bashkuara nesër vizitë në Tiranë

22:20 / 22 Shkurt 2025

Nga Kosova Live

Presidenti i Emirateve të Bashkuara Mohamed bin Zayed Al Nahyan viziton nesër Shqipërinë.

Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama pasditen e sotme në rubrikën “Çkemi ndonjë ë re”. Rama u shpreh se, presidenti i EBA është një mik i vjetër i shqiptarëve dhe një mik shumë i dashur i tij personalisht.

“Ai ka zbritur në Shqipëri më parë në vitin 1999 me aeroplanin e tij mbi pistën e aeroportit të Kukësit që u shtrua nga i ati Sheiku Zayed, themeluesi i EBA, në mbështetje të vëllezërve dhe motrave të shpërngulura me dhunë nga Kosova. Asokohe Emiratet nën porosinë e Sheikut Zayed sollën sasi shumë të mëdha ndihmash përmes asaj piste të shtruar enkas. Dhe presidenti që na nderon nesër me vizitën e tij erdhi në këmbë të të atit së bashku me zv/presidentin dhe sundimtarin aktual të Dubait, Mohammed bin Rashid Al Maktoum.

Që të dy ishin djem të rinj në forcat ushtarake emiratase. Vizita e presidentit të Emirateve dhe njërit prej udhëheqësve më të respektuar të botës së sotme shënjon një gur të rëndësishëm kilometrik dhe të një partneriteti që është forcuar shumë kohët e fundit. Vjen nesër për të vendosur të tjera piketa që bazohen tek interesat e përbashkëta. Presidenti Bin Zayed ishte donatori më i madh për rindërtimin pas tërmetit shkatërrimtar në Durrës dhe lagja e re shembullore e rindërtimit në Spitallë është financuar e gjitha prej tij.

“Një tjetër vlerë e shtuar e këtij bashkëpunimi strategjik është programi i monitorimit të rrugëve dhe shkollave me teknologjinë më të lartë si dhe krijimi i ndërmarrjes së përbashkët të letrave me vlerë”, tha Rama.

“Miku ynë i çmuar vjen nesër me një delegacion të nivelit më të lartë për të vendosur të tjera piketa në rrugën e një partneriteti që bazohet tek interesat e përbashkëta dhe ushqehet nga një miqësi shumë e sinqertë shtetërore po edhe personale”, u shpreh Rama.

Shpërndaje në

U Kopjua