Live

Prishtinë: Arrestohet 32-vjeçari i dënuar me 1 vit burg, zbulohet emri i tij

07:47 / 04 Prill 2025

Nga Kosova Live

Një numër i madh i të dyshuarve që kërkohen nga organet e rendit arrijnë ta shijojnë lirinë nga arratia. Plot të akuzuar e të dënuar për vepra të ndryshme penale, që kanë ikur nga duart e drejtësisë, shpallen në kërkim dhe ndaj tyre lëshohen urdhër arreste. Kështu ka ndodhur edhe me një 32-vjeçar, i cili u kap së fundmi në Prishtinë.

Policia e Kosovës e ka ndaluar të riun, i dënuar me burgim, bazuar në urdhëresën e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Kosovalive ka mësuar ekskluzivisht se i arrestuari është Shkëlqim Abdullahu, i cili ishte në kërkim për një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Arrestimi i Abdullahut është realizuar të enjten, në një lokacion në qytetin e Prishtinës.

Gjykata kishte shqiptuar ndaj tij një dënim me 1 vit burgim efektiv dhe një gjobë në shumën prej 300 euro.

Pas arrestimit, i dënuari është dërguar në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali, ku do të qëndrojë për të vuajtur dënimin e plotë.

Shpërndaje në

U Kopjua