Prokuroria e Specializuar e Hagës ka hasur në vështirësi serioze me dëshmitarët në rastin ndaj krerëve të UÇK-së. Së fundmi, kjo prokurori ka pranuar se ka humbur kontaktet me një dëshmitar të rëndësishëm, duke mos arritur ta lokalizojë apo ta kontaktojë me asnjë mjet komunikimi.
Siç raportohet, Prokuroria ka deklaruar se nuk po mund ta sigurojë kontaktin me këtë dëshmitar.
Ata nuk kanë arritur ta gjejnë as në vendbanimin e tij, as përmes thirrjeve telefonike apo metodave të tjera.
“Duke marrë parasysh të gjitha rrethanat përkatëse, ZPS ka shteruar përjekjet e arsyeshme për të ndjekur dhe siguruar paraqitjen e Dëshmitarit W04260. Dokumentacioni i bashkangjitur në Aneksin 38 përshkruan kontaktet e Prokurorisë me dëshmitarin që nga [REDAKTUAR]. ZPS ka dështuar ta ndjekë dëshmitarin me kujdesin e duhur. Siç përshkruhet në shënimin zyrtar të bashkangjitur, Prokuroria ka bërë kërkesa të shumta për të ekzaminuar të dhënat dhe bazat e disponueshme, ka vëzhguar [REDAKTUAR] dhe lokacione të tjera ku dëshmitari dihej se frekuentonte, si dhe ka tentuar ta kontaktojë atë në të gjitha numrat e telefonit që ai kishte përdorur më parë. [REDAKTUAR], çdo masë tjetër për ta ndjekur dhe lokalizuar dëshmitarin për qëllim sigurimi të dëshmisë së tij”, thuhet në parashtresë, raporton Nacionale.
Prokuroria ka fajësuar dikë për këtë, por informacioni mbetet konfidencial. Nuk dihet nëse bëhet fjalë për ndonjë institucion apo individ.
Kohët e fundit, Prokuroria është ankuar se ka pasur të pamundur të sigurojë dëshmitë e dëshmitarëve që ndodhen në vende të ndryshme të Evropës.
“Për më tepër, Dëshmia e Propozuar e W04260 është gjithashtu e pranueshme sipas Rregullës 155(2), pasi plotësohen të gjitha kriteret përkatëse: (i) W04260 ka dështuar të paraqitet si dëshmitar; (ii) ky dështim është ndikuar ndjeshëm nga ndërhyrje të papërshtatshme, siç dëshmohet nga [REDAKTUAR]; (iii) janë bërë përpjekje të arsyeshme për të siguruar paraqitjen e W04260 si dëshmitar”, thuhet më tej.
Si rezultat, Prokuroria ka kërkuar që të pranohen provat dhe dëshmitë e dhëna më parë nga ky dëshmitar.
Po ashtu, Prokuroria ka paraqitur kërkesë që dëshmitë e disa dëshmitarëve të tjerë të pranohen si provë me shkrim ose të incizuara.
Aktualisht, provat e Prokurorisë po i afrohen fundit. Deri më tani, kanë dëshmuar 125 dëshmitarë në gjykatore.