Live

Pushtetit në detyrë s’iu bë vonë për rritjen e çmimit të rrymës, janë në zor të mbledhjes së votave për një qeverisje tjetër

17:12 / 13 Prill 2025

Nga Kosova Live

Tanimë populli i Kosovës do të përballet edhe me një rritje tjetër të rrymës.

Zyra e Rregullatorit të Energjisë mori vendim për shtrejntim të energjisë elektrike për 16 për qind, përcjell Periskopi.

Kjo rritje vjen për së treti radhazi gjatë qeverisjes Kurti.

Përball këtij vendimi nuk i doli askush prej Qeverisë, pavarësisht revoltes dhe protestave të qytetarëve.

Zëri i qytetarëve hasi në vesh të shurdhër. Me sa duket VV-ja është në zor për mbledhjen e mandateve me synim për një qeverisje tjetër katërvjecare.

Ata kanë vendosur të heshtin.

Ndryshe prej tyre, pas vendimit të ZRRE-së, përfaqësuesit e partive opozitare kanë bërë me dije se do të marrin masa ndaj bordit të ZRrE-së pas konstituimit të Kuvendit.

Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka paralajmëruar se do të kërkojnë shkarkimin e bordit të ZRrE-së.

Ajo ka thënë se do të ftohet në raportim edhe bordi aktual, për të kërkuar revokimin e vendimit.

“Pas postimit të fundit, shumë qytetarë po më pyesin: Çfarë do të bëjë LDK-ja lidhur me vendimin e ZRRE-së? Ja përgjigjja: Sapo të konstituohet Kuvendi, Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës do të thërrasë në raportim bordin e ZRRE-së. Do të kërkojmë që urgjentisht ky bord ta revokojë vendimin e sotshëm për rritjen e çmimit të energjisë prej 16%. Do të diskutojmë në komisione dhe në seancë, ku do të paraqesim rezolutë për shkarkimin e bordit të ZRRE-së”, ka shkruar ajo.

Ajo ka vlerësuar se të gjithë deputetët e legjislaturës se re duhet të kërkojnë shkarkimin e këtij bordi.

“Nëse në këtë legjislaturë ka deputetë që përfaqësojnë interesin e qytetarëve, atëherë do ta shkarkojmë bordin aktual. Nëse bordi aktual nuk e shfuqizon vendimin, atëherë bordi i ri do ta bëjë këtë pa asnjë dyshim. ZRRE-ja duhet të ketë një bord profesional dhe transparent, që publikon pasqyrat financiare (fitimet) të KEDS-it dhe KESCO-s. Kuvendi gjithashtu duhet të ketë raport të saktë për tregtinë me energji, por edhe për investimet që KEDS-i është i obliguar t’i bëjë në rrjet, sipas kontratës”, ka shkruar Bajrami.

Kurse, Sekretarja e Përgjithsme e PDK-së, Vlora Çitaku, ka bërë me dije se bordi i ZRrE-së është instrumentalizuar nga Qeveria Kurti.

Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se ky institucion është bërë mashë e Kurtit.

“ZRRE është shndërruar në mashën përmes së cilës Qeveria në largim po e godet drejtpërdrejt qytetarin. Po e varfëron, po e lodh dhe po përpiqet ta nënshtrojë. Sepse mendësia e kësaj kaste nuk është të qeverisë, por të sundojë, e një popull i shtyrë drejt varfërisë, sundohet më lehtë. Por jo, Albin. As nuk ke me na nënshtru, e as nuk ke me na sundu. Sepse ky popull e ka ngritë zërin edhe në kohë më të vështira, e do ta bëjë sërish”, ka shkruar Çitaku.

Kurse, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se vendimi i ZRrE-së është në shërbim te mafisë energjetike.

Sipas tij, këto veprime Qeveria Kurti po e vërteton se nuk po e mbron interesin e qytetarëve.

“Vendimi i sotëm i Zyrës së Rregullatorit për Energji për rritjen e sërishme të çmimit të rrymës është një tjetër goditje për qytetarët e Kosovës dhe një favor i hapur për klikën mafioze energjetike të instaluar nga kjo qeveri. ZRrE-ja, e cila është kthyer në një instrument në duart e Qeverisë Kurti, sot ka konfirmuar se nuk vepron më në interes të konsumatorit, por është shndërruar në mekanizëm për të justifikuar vjedhjen dhe keqpërdorimin në tregun e energjisë. Aferat me shitblerjen e rrymës nuk janë më vetëm dyshime, për to tashmë ka të dyshuar konkretë, njerëz të afërt me kryeministrin! Ndërkohë që shumë familje mezi përballojnë faturat, këta vazhdojnë të pasurohen përmes rrugëve të paligjshme dhe të turpshme. Ata ata që janë zhytur në këto afera do të japin llogari para drejtësisë”, ka thënë Haradinaj.

Presidentja, opozita, shoqëria civile dhe qytetarët e kanë kundërshtuar në mënyra të ndryshme rritjen e çmimit të energjisë elektrike. Kurse, Qeveria dhe partia në pushtet është pajtuar me shtrenjtimin e rrymës për 16 për qind.

Shpërndaje në

U Kopjua