Live

Qeveria britaneze dhuron pajisje elektronike për Policinë e Kosovës

17:14 / 12 Mars 2025

Nga Kosova Live

Sot, në hapësirat e Drejtorisë së Përgjithshme, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti, ka pritur në takim znj. Margaret Belof nga Ambasada Britaneze, si dhe udhëheqësen e ekipit të ekspertëve të GCSI-së, znj. Helen Legay me bashkëpunëtorë.

Ky takim shënoi një hap të rëndësishëm në forcimin e bashkëpunimit të vazhdueshëm mes Policisë së Kosovës dhe Qeverisë Britanike.

Në kuadër të projektit për komunikim strategjik, Drejtoria për Informim dhe Marrëdhënie me Publikun e Policisë së Kosovës ka pranuar një donacion me pajisje elektronike në vlerë rreth 10,000 euro, thuhet në postimin e policisë në Facebook.

Po ashtu, gjatë ceremonisë u bë edhe lansimi i Manualit për Komunikim, një udhëzues i rëndësishëm që do të ndihmojë në avancimin e komunikimit dhe do të ofrojë praktikat më të mira për komunikimin me publikun.

Zëvendësdrejtori Hoti falënderoi Qeverinë dhe Ambasadën Britanike për mbështetjen e vazhdueshme në forcimin e kapaciteteve të Policisë së Kosovës, veçanërisht në fushën e komunikimit, e cila është thelbësore për sigurinë dhe besimin publik në një mjedis të mbushur me informacione.

Ai theksoi se Policia e Kosovës do të vazhdojë të forcojë strategjitë e komunikimit dhe të mësuarit nga praktikat ndërkombëtare për të siguruar udhëheqjen me profesionalizëm, integritet dhe transparencë.

Shpërndaje në

U Kopjua