Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka rënë pre e një mashtrimi nga dy rusët e njohur, Vladimir Kuznetsov dhe Alexei Stolyarov, të cilët janë të famshëm me emrat “Vovan” dhe “Lexus”.
Ata e kanë bërë Kurtin të besojë se po komunikonte në telefon me presidentin e Letonisë, ndërsa në të vërtetë po zhvillonin një bisedë të regjistruar.
E lidhur me këtë video-prank kanë dal me një reagim nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Sipas tyre kjo video është bërë me 11 shkurt.
Madje nga Qeveria janë arsyetuar se kjo ngjarje ka ndodhur “në një periudhë kur kryeministri Kurti po pranonte mesazhe të shumta urimi dhe thirrje për rezultatin e zgjedhjeve. Për shkak të kohës, jo gjithmonë ishte e mundur të kryheshin verifikimet e plota të çdo telefonate”.
“Ky incident fatkeq përforcon atë që kemi e ditur prej kohësh: Rusia është e fiksuar pas Kosovës dhe vazhdon ta ketë cak vendin tonë. Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Sputnik Serbia dhe Russia Today (RT) publikuan mbi 60 lajme të rreme dhe artikuj dezinformues, duke ndërhyrë në procesin tonë demokratik, siç dokumentohet nga Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve”, thuhet tutje.