Ka reaguar kryetari i komunës së Prishtinës, Përparim Rama pasi dështoi seanca e jashtëzakonshme.
Rama para gazetarëve ka thënë se nuk u vendos në diskutim publik plani zhvillimor komunal, pasi nuk patën numrat e nevojshëm.
“E patë edhe sot që ne kemi ftuar seancën e jashtëzakonshme për me e qitë në diskutim publik planin zhvillimor komunal, por nuk i patëm numrat që të na mundësojnë që ky plan me rëndësi të madhe, nuk i patëm asamblistët e mjaftueshëm që ky dokument të dalë për diskutim publik.
Kështu që ne do të vazhdojmë të tentojmë që ta fusim në diskutim publik edhe herën e radhës dhe do t’ju lajmërojmë për seancën e radhës” – u shpreh ai.
Theksojmë se sot ishte paraparë të diskutohej projekt-dokumenti i Planit Zhvillimor Komunal 2025-2033.
Edhe në përpjekjen e dytë për të mbajtur këtë seancë nuk kishte kuorum për të vazhduar punimin, pasi nuk morën pjesë asamblistët e LVV-së dhe PDK-së.