Zëvendësministri në detyrë i Mbrojtes, Burim Ramadani, ka thënë se armatosja e Serbisë e rrezikon paqen në Ballkan. Sipas tij Serbia po bëhet një Rusi e Vogël dhe kjo është shqetësim për gjithë rajonin.
“Orientimi dhe armatosja e Serbisë me pajisje ruse (edhe pse në këto lëvzije aferat korruptive janë enorme) ka për synim rrezikimin e gjithë Ballkanit, ndërsa paraqet hakmarrjen ruse e serbe ndaj NATO-s dhe demokracive të botës”, ka shkruar Ramadani në llogarinë e vet në “Facebook”.
Ai ka thënë se duhet të jetë e qartë se paqja e përhershme në Ballkan arrihet kur secili shtet i rajonit anëtarësohet në NATO dhe asnjë shtet në Ballkan nuk shërben si Rusi e Vogël.
“Prezenca dhe zgjerimi i NATO-s me Kroacinë, Shqipërinë, Malin e Zi dhe tashmë edhe me Maqedoninë e Veriut ka ndihmuar paqen dhe sigurinë rajonale. Unë besoj në politikën e zgjerimit të NATO-s, sipas Nenit të 10-të të Paktit Veri-Atlantik. Kështu, Kosova mund të jetë shteti i 31-të i NATO-s. Anëtarësimi i Kosovës në NATO do të kontribuojë fuqishëm në sigurinë rajonale”, ka shkruar Ramadani.
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dy ditë më parë në Nish mori pjesë në ceremoninë e pranimit të dhjetë automjeteve të blinduara nga Rusia. Ai me këtë rast u mburr dhe tha se deri në fund të vitit shteti rus do të dërgojë edhe armë të tjera në Serbi, të cilat tashmë janë blerë ose janë dhënë donacion.