Live

Raporti i paaudituar: Partitë shpenzuan miliona euro më 2024 (VIDEO)

16:13 / 20 Mars 2025

Nga Kosova Live

Partitë politike në Kosovë vazhdojnë të mbledhin shuma të mëdha parash dhe t’i shpenzojnë me të njëjtin ritëm.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar raportet financiare të tyre për vitin 2024 por shifrat janë të larta, e ende të paaudituara.

Raportet përfshijnë detaje mbi shpenzimet, si blerjet e mallrave, logjistika, marketingu, qiraja dhe shpenzime të tjera operative.

Sipas të dhënave të publikuara, Lëvizja Vetëvendosje  ka pasur të hyra prej 2 milionë e 337 mijë e 168 eurosh, ndërsa shpenzimet e saj kanë arritur në 1 milion e 805 mijë e 296 euro. Nga kjo shumë, 163 mijë e 203 euro e 99 centë janë përdorur për fushatë, ndërsa 318 mijë e 858 euro janë shpenzuar për reklama, reprezentacion dhe konferenca.

Partia Demokratike e Kosovës  ka raportuar të hyra në vlerë prej 1 milion e 34 mijë e 134 eurosh, ndërsa shpenzimet e saj kanë qenë 938 mijë e 548 euro.

Lidhja Demokratike e Kosovës  ka pasur të hyra prej 643 mijë e 47 eurosh, ndërsa shpenzimet e saj për vitin 2024 kanë qenë 594 mijë e 398 euro. Krahasuar me vitin 2023, kur kjo parti kishte të hyra prej 723 mijë e 169 eurosh, vihet re një rënie e financave. Megjithatë, shpenzimet e LDK-së gjatë vitit 2023 ishin dukshëm më të ulëta, me vetëm 431 mijë e 824 euro.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka regjistruar një bilanc negativ, pasi të hyrat e saj kanë qenë vetëm 325 mijë e 58 euro, ndërsa shpenzimet kanë arritur në 907 mijë e 796 euro, duke krijuar një deficit të ndjeshëm.

Nga ana tjetër, Lista Serbe ka raportuar rritje të të hyrave për vitin 2024, duke arritur në 434 mijë e 381 euro, një shifër dukshëm më e lartë krahasuar me vitin 2023, kur kishte regjistruar vetëm 267 mijë e 215 euro.

Nga KQZ thonë se duke pasur parasysh se ende nuk është bërë auditimi i këtyre raporteve, publikimi i tyre shoqërohet me tekstin sqarues.

Shpërndaje në

U Kopjua