Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka vlerësuar përmes një raporti se doktrina kombëtare e sigurisë së Serbisë është shndërruar në një instrument për institucionalizimin e armiqësisë ndaj Kosovës.
Në raportin “Si e sheh doktrina e sigurisë së Serbisë Kosovën, Perëndimin, Rusinë dhe Kinën?”, me autor Ramadan Ilazi, udhëheqës i hulumtimit në QKSS, paraqet një analizë të Strategjisë Kombëtare të Sigurisë së Serbisë të miratuar në vitin 2021.
Sipas gjetjeve të raportit, pas retorikës së “neutralitetit ushtarak,” Serbia po e ngulit në mënyrë sistematike një narrativë anti-perëndimore dhe po e trajton shtetësinë e Kosovës si çështje sigurie për të justifikuar sjellje agresive.
Ilazi thekson se “doktrina e sigurisë së Serbisë jo vetëm që e refuzon pavarësinë e Kosovës, por e portretizon ekzistencën e saj si kërcënim për sigurinë kombëtare.” Ai shton gjithashtu se “kjo doktrinë është një plan politik që i jep mbulesë strategjike ndërhyrjes së Serbisë në Kosovë me qëllim minimin e mbështetjes për pavarësinë e saj.”
Në letër, doktrina pozicionon Serbinë si një shtet që balancon mes Lindjes dhe Perëndimit. Por studiuesit e QKSS theksojnë se kjo është një fasadë. Në realitet, Serbia po ndjek një politikë me dy binarë: përfshihet në mënyrë selektive me Perëndimin për përfitime ekonomike dhe politike, ndërsa në të njëjtën kohë thellon aleancat ushtarake, ekonomike dhe ideologjike me fuqi autoritare si Kina dhe Rusia.
“Gjetjet konfirmojnë se politika e sigurisë së Serbisë po harmonizohet gjithnjë e më shumë me Moskën dhe Pekinin në çështje strategjike thelbësore,” tha Mentor Vrajolli, drejtor ekzekutiv i QKSS. “Ky afrim, i kombinuar me qëndrimin armiqësor ndaj Kosovës, paraqet sfidë për bashkëpunimin rajonal dhe integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor.”
Ndër elementet më shqetësuese të kësaj doktrine është përqafimi nga ana e Serbisë i konceptit të “Mbrojtjes Totale” – një model që militarizon shoqërinë dhe e zbeh kufirin ndërmjet sektorit civil dhe atij ushtarak. Raporti paralajmëron se kjo qasje mund të rrisë rrezikun për destabilitet në rajon, sidomos në një kontekst ku Serbia vazhdon të portretizojë Perëndimin – veçanërisht NATO-n, BE-në dhe shoqërinë civile – si instrumente të ndërhyrjes së huaj.
“Perceptimi selektiv i kërcënimeve në këtë doktrinë, i cili injoron ekstremizmin e djathtë të brendshëm dhe njëkohësisht e portretizon Kosovën si burim problemesh, reflekton një botëkuptim të politizuar dhe të sigurizuar nga ana e qeverisë serbe,” thekson Jeta Loshaj, hulumtuese në QKSS.
“Kjo narrativë nuk është e bazuar në fakte, por është e dizajnuar për qëllime të brendshme politike, për të justifikuar praktikat autoritare dhe për të kërkuar dominim rajonal.”
Raporti bën thirrje për një reagim proaktiv nga aktorët perëndimorë, por gjithashtu edhe nga vetë Kosova. Ai i kërkon NATO-s dhe BE-së të ndjekin një qasje më të koordinuar dhe të qëndrueshme ndaj Serbisë, përfshirë mekanizma kushtëzues që lidhin mbështetjen financiare dhe politike me përmbushjen e standardeve demokratike dhe harmonizimin e politikës së jashtme me atë të BE-së. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të forcojë qëndrimin e saj diplomatik dhe të përmirësojë koordinimin me aleatët kryesorë, në mënyrë që të perceptohet si një aktor normativ në rajon.