Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë është marrë vendim për pranimin në prova materiale të disa dokumenteve që kanë të bëjnë me Zonën Operative të Drenicës, kërkesa për të cilat është dorëzuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Mocionin për pranimin e këtyre dokumenteve në prova materiale, ZPS-ja e kishte dorëzuar më 16 prill të 2024-ës, ndërsa vendimi është marrë më 26 shkurt 2025, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Kundërpërgjigjen e dorëzoi mbrojtja më 6 maj 2024, ndërsa më 13 maj 2024 sërish ZPS-ja u përgjigj në parashtrimin e mbrojtjes.
Në mocionin e saj, ZPS-ja kishte kërkuar pranimin e dokumenteve që pretendohet se janë të UÇK-së dhe kanë të bëjnë me zonën Operative të Drenicës (ZOD). ZPS-ja kishte parashtruar se këto prova konfirmojnë dhe plotësojnë provat dhe faktet që janë shpalosur në gjykatë. Ata janë shprehur se këto dokumente janë relevante, autentike dhe kanë vlerë provuese.
Në anën tjetër, mbrojtja kishte kërkuar që të vonohet vendimi për këto dokumente derisa të japë dëshmi dëshmitari W04290 që sipas kodit i bie të jetë Sylejman Selimi, e po ashtu edhe një dëshmitar tjetër.
Mbrojtja kishte parashtruar se këto dokumente lidhen me këta dëshmitarë dhe kishte ngritur shqetësime më 2024 për pasigurinë e ZPS-së nëse kishte ndërmend ta thërresë Sylejman Selimin.
Megjithatë, mbrojtja kishte parashtruar që në rast që paneli vendos që të mos e vonojë vendimin, atëherë ata do të kundërshtojnë dokumentet e propozuara, me arsyetimin se relevanca e tyre është e paqartë dhe mungesë të autenticitetit, duke përfshirë edhe nevojën që këto dokumente të identifikohen përmes dëshmitarëve.
Sipas mbrojtjes, dokumenteve duhet t’iu vendoset autenticiteti përmes dëshmitarëve dhe disa prej këtyre dokumenteve nuk e kanë as shenjen e autenticitetit.
Po ashtu, mbrojtja ishte mbështetur sërish në kundërshtimin e saj lidhur me dokumentet e propozuara që pretendohet se janë sekuestruar nga shtëpia e Selimit dhe Krasniqit.
Veç kësaj, mbrojtja kishte thënë se mund të dëmtohen nga pranimi i këtyre dokumenteve pasi në atë kohë nuk dihej nëse do të ishin në gjendje që t’i sfidonin dëshmitarët e propozuar që u përmenden me lartë.
ZPS-ja ishte përgjigjur se mbrojtja e kishte keqinterpretuar kërkesën e tyre dhe i kishte përsëritur kundërshtimet e mëparshme të cilat gjyqtarët veçse i kishin hedhur poshtë.
“ZPS argumenton se nuk ka kërkesa që dokumentet të dorëzohen përmes një dëshmitari dhe se një vendim për pranimin nuk duhet të vonohet deri pas dëshmisë së dëshmitarëve përkatës, dhe se dokumentet e propozuara duhet të merren parasysh holistikisht në dritën e të gjitha informacionit dhe provave të lidhura”, thuhet në vendim.
Si rrjedhojë, Paneli mori vendim që të refuzojë kërkesën e mbrojtjes për të shtyrë marrjen e vendimit, me arsyetimin se nuk ka asnjë kërkesë në kuadër të kornizës ligjore të DhSK-së që mund të bëhet që dokumentet e propozuara të autentifikohen përmes dëshmitarëve. Ata theksuan se është e rëndësishme që pala të paraqet provat dhe ta bindë paneli për relevancën, autenticitetin dhe vlerën provuese të tyre sipas rregullave.
Sa i takon argumentit të mbrojtjes se ata do të dëmtohen në rast që dëshmitë e propozuara pranohen në prova materiale pa pasur mundësinë e sfidimit të dëshmitarëve, Paneli ka konstatuar se qëllimi i ZPS-së për t’i dorëzuar këto materiale ka qenë i qartë që nga fillimi pasi këto dokumente ishin pjesë e listës së provave të Prokurorisë.
Paneli ka përmendur faktin që ZPS-ja ka njoftuar qëllimin e tyre për t’i thirrur dëshmitarët e propozuar duke i listuar ata në njoftimin e tyre dhe si rrjedhojë që nga paraqitja e kërkesës një dëshmitar tjetër emri i të cilit është i redaktuar dhe Sylejman Selimi, kanë dëshmuar. Si rrjedhojë, mbrojtja e ka pasur mundësinë që t’i pyes dëshmitarët lidhur me dokumentet e propozuara nga ZPS-ja.
Paneli i gjyqtarëve, në vendim ka treguar se gjatë parashtrimeve ZPS-ja ka thënë se nuk ka ndërmend të mbështetet në deklaratat e tre dëshmitarëve emrat e të cilëve janë të redaktuar. Ndërsa, në dëshminë e një dëshmitari tjetër po ashtu i redaktuar, synon ta ofrojë sipas Rregullës 153.
Lidhur me këta dëshmitarë, mbrojtja kishte thënë se janë të lidhur materialisht me zonën e Drenicës. Paneli kishte konstatuar se sipas dokumenteve, tre nga dëshmitarët do të flisnin për keqtrajtimin e tij dhe të tjerëve. Ndërsa, tjetri do të dëshmonte për një person i cili ishte caktuar në Zonën e Drenicës dhe për takimet e tij me të akuzuarit e anëtarë të tjerë të UÇK-së.
Po ashtu, njëri prej këtyre dëshmitarëve thuhet që do të dëshmonte se si anëtar i UÇK-së u arrestua për bashkëpunëtor dhe pastaj për pretendimet për keqtrajtimin e tij.
“Paneli vëren se, me disa përjashtime, dokumentet e propozuara zakonisht nuk prekin këto tema. Për më tepër, Paneli vëren se [Redaktuar], një anëtar i UÇK-së, ishte i ftuar të dëshmonte për rolet e tij dhe të të tjerëve brenda UÇK -së”, thuhet në vendim.
Megjithatë, Paneli kishte vërejtur që dëshmitarë të tjerë ngjashëm si Sylejman Selimi mund të ishin pyetur për këto çështje. Andaj, deri tek marrja e vendimit, mbrojtja e ka pasur mundësinë që t’i sfidojë dëshmitarët më këto dokumente përpara se ato të pranohen në prova materiale.
Ndërsa, sa i takon argumentit të mbrojtjes se është e pamjaftueshme mbështetshmëria e dokumenteve për të cilat ZPS-ja ka pretenduar se e vërtetojnë autenticitetin. Si rrjedhojë, Paneli ka thënë në vijim se kjo do të shqyrtohet dhe në rast që dokumentet s’i përmbushin standardet, ato nuk do të pranohen.
E sa i takon kundërshtimit që dëshmitë e propozuara janë konfiskuar nga shtëpitë e Selimit dhe Krasniqit, Paneli i gjyqtarëve ka rikujtuar gjetjet e tij të mëparshme lidhur me ligjshmërinë e operacioneve të kërkimit dhe konfiskimit të cilat janë aprovuar edhe nga Apeli.
Si rrjedhojë, në prova materiale, trupi gjykues ka marrë vendim që të pranohen dëshmitë e propozuara 1-3, 5-9, 10A, 11-15, 19, 21, 23-34, 34A-34C, 35-39, 42-45, 47-66, 68, dhe 68A, dhe refuzoi pranimin e provave 4 dhe 67. Ky vendim erdhi pasi u konstatua se këto dëshmi janë relevante dhe autentike, kanë vlerë provuese që lidhen me faktet dhe rrethanat relevante për këtë rast.
Pranimi i këtyre dokumenteve në prova, sipas gjyqtarëve, nuk paraqet asnjë dëm për të akuzuarit për arsye se mbrojtja mund ta sfidojë përmbajtjen e tyre përmes kundërpyetjeve.
Ndërsa, për dëshmitë e propozuara nga 69 deri 76, ZPS-ja kishte parashtruar se janë relevante për Policinë Ushtarake të UÇK-së dhe organizimin e saj brenda ZOD-së.
Sipas vendimit, dëshmia 69 përbëhet nga shënime dore që konfirmojnë marrjen e donacioneve për UÇK-në nga persona të caktuar. Ndërsa, dëshmitë nga 70 deri në 75 përbëhen nga një kërkesë dhe një përgjigje si dhe detaje në lidhje me personat që do të anëtarësoheshin në Policinë Ushtarake si pjesë e Brigadave 112, 113 dhe 114 në Drenicë.
Kurse, për dëshminë e 76-të, sipas vendimit është një ditar i shkruar me dorë që supozohet të jetë i një anëtari të Policisë Ushtarake të UÇK-së në Obiliq gjatë periudhës korrik-gusht 1999.
“Paneli gjen se të gjitha këto artikuj janë relevante për akuzat në aktakuzë, veçanërisht për organizimin dhe financimin e ZOD dhe organizimin e Policisë Ushtarake. Paneli, prandaj, konstaton se dëshmitë e propozuara 69-76 janë, në parim, relevante”, thuhet në vendim, duke shtuar se ato janë në parim autentike.
Po ashtu, për të njëjtat dokumente, Paneli ka konstatuar se kanë vlerë provuese që lidhen me faktet dhe rrethanat relevante për këtë rast.
“Paneli është i kënaqur se dëshmitë e propozuara 69-76 nuk kalojnë ndonjë dëm për akuzuarit, duke marrë parasysh që mbrojtja mund të sfidojë përmbajtjen e këtyre artikujve përmes kunderpyetjeve ndaj dëshmitarëve të përshtatshëm, si dhe përmes paraqitjes së provave, nëse dëshiron”, thuhet në vendimin me të cilin u pranuan në prova këto dokumente.
ZPS-ja kishte propozuar për pranim në prova edhe dokumente që pretendojnë qëllimin e përbashkët kriminal. Këto dokumente janë nga 77 deri në 85. Megjithatë, paneli ka konstatuar se provat e propozuara 82 dhe 85 janë pranuar tashmë dhe kërkesa për pranimin e tyre është e pavlefshme.
Andaj, përveç këtyre dy provave, për të tjerat, ZPS-ja pretendon se janë relevante për të vërtetuar ekzistencën dhe organizimin e qëllimit të përbashkët kriminal.
Sipas Panelit, dëshmitë e propozuara nga 77 deri në 78 janë urdhra nga Drejtoritë e Informacionit. Ndërsa, dëshmia 79 sipas vendimit përbëhet nga lista të ndryshme personash, duke përfshirë emra të atyre që interesoheshin për t’iu bashkuar UÇK-së, listë me anëtarë të UÇK-së nga Drenica, listë me persona nga Drenica që duhet të arrestoheshin.
Ndërsa, për dëshminë e 80-të, Paneli në vendim ka thënë se është një kërkesë e shkruar me dorë nga një person me emrin Jetullah Dibrani, një deklaratë e shkruar me dorë nga një person i panjohur dhe një deklaratë e shtypur nga një person po ashtu i panjohur.
Për dëshminë 81, Paneli ka konstatuar se është një shënim i shkruar me dorë. Kurse, ajo 83 është koleksion dokumentesh që përbëjnë marrëveshje, fatura, karta profesionale dhe licencë armësh.
Ndërkaq për dëshminë e fundit 84, në vendim thuhet se është një koleksion dokumentesh të shkruara me dorë dhe të shtypura që përfshinë shënime nga pikat e kontrollit dhe lista të personave të kërkuar.
Këto dëshmi, sipas trupit gjykues janë relevante për akuzat në aktakuzë lidhur me organizimin dhe funksionimin e ZOD-së. Po ashtu, janë relevante lidhur me organizimin, autoritetin dhe aftësinë operative të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, funksionimin e Drejtorisë së Informacionit, rolin dhe autoritetin e Jahir Demakut, Fehmi Lladrovcit, Sabit Lladrovcit dhe Abedin Sogojevës, e po ashtu edhe për arrestimin dhe individëve të personave të caktuar.
Si rrjedhojë, Paneli i ka pranuar këto dokumente në prova materiale duke konstatuar se janë relevante, autentike si dhe kanë vlerë provuese.
Kurse për dëshmitë e propozuara nga 86 deri në 96, vendimi thotë se kanë të bëjnë me njësinë “Pllumbi”.
Për dëshminë 89, Paneli ka konstatuar se tashmë ajo është e pranuar dhe se kërkesa për pranimin e saj në këtë pikë është e pavlefshme.
Për këto dëshmi, ZPS-ja kishte parashtruar se janë relevante për organizimin e ZOD-së dhe veçanërisht për njësinë “Pllumbi”.
Paneli ka vërejtur se dëshmia 86 është certifikatë e nënshkruar për marrjen e fondeve. Ndërsa, dy dëshmitë e radhës janë lista të artikujve të ndryshëm të dedikuar për njësinë në fjalë. Kurse, dëshmitë 90 deri 94 janë modele të ndryshme për udhëtim si leje udhëtimi dhe marrje e mjeteve financiare për njësinë. Ndërsa, dy dëshmitë e fundit të propozuara në këtë seksion janë leje udhëtimi të nënshkruara të njësisë “Pllumbi”.
“Paneli gjen se dëshmitë e propozuara 86-88 dhe 90-96 janë relevante për akuzat dhe faktet në aktakuzë, duke përfshirë: (i) organizimin, autoritetin dhe aftësitë operative të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, veçanërisht në lidhje me mbledhjen e fondeve dhe sigurimin e ushqimit dhe nevojave të tjera për anëtarët në ZO Drenicës; dhe (ii) strukturën dhe organizimin e ZO Drenicës dhe të njësisë Pëllumbi/Pllumbi”, thuhet në vendim.
Ngjashëm si për rastet paraprake, mbrojtja kishte kundërshtuar këto dokumente, veçanërisht dokumentet 90 dhe 91. Ata kanë argumentuar se dokumentet kanë vetëm tituj ose mbishkrime për individë dhe njësi, ndërsa lidhja me UÇK-në ose rastin e ZPS-së është e paqartë.
Megjithatë, Paneli ka konstatuar se këto artikuj janë mjaft të lidhur me rastin e ZPS-së për t’u konsideruar si relevant në parim.
Të gjitha këto dokumente, sipas vendimit janë sekuestruar nga shtëpia e Jakup Krasniqit përveç dy të fundit.
“Paneli ka marrë parasysh se dëshmitë e propozuara 86-88 dhe 90-94 janë sekuestruar nga shtëpia e Z. Krasniqi”, thuhet në vendim, i cili thekson se këto dokumente janë autentike në parim dhe kanë vlerë provuese. Si rrjedhojë, u pranuan në prova materiale.
Për provën e propozuar 30, Paneli ka treguar se një pjesë e saj është pranuar në prova materiale dhe ka urdhëruar që pjesa e propozuar t’i shtohet.
Si rrjedhojë, Paneli ka refuzuar kërkesën e mbrojtjes për të shtyrë vendimin e saj deri pas marrjes së dëshmive të dëshmitarëve të ZPS-së që lidhen me Zonën Operative të Drenicës, urdhëroi që dëshmitë e e propozuara 10, 41 dhe 46 të shtohen në provat materiale të pranuara më herët.
Përveçse u pranuan provat 1-3, 5-9, 10A, 11-15, 19, 21, 23-34, 34A-34C, 35-39, 42-45, 47-66, 68, 68A, 69-81, 83-84, 86-88, dhe 90-96 dhe çdo përkthim të tyre, gjyqtarët kanë refuzuar pranimin e dëshmive të propozuara 4, 16-18, 40 dhe 67.
Gjithashtu, është shpallur e pavlefshme kërkesa për pranimin e dëshmive të propozuara 20, 22, 50A, 82, 85 dhe 89, si dhe është urdhëruar regjistri që dëshminë e propozuara 30 ta shtojë në prova ekzistuese.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep SelimitdheJakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.