Live

Reagon Kurti pas 4 vrasjeve për tri ditë në Kosovë, kërkon hetim nga institucionet

10:38 / 26 Mars 2025

Nga Kosova Live

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar reagim nga institucionet, pas 4 vrasjeve për tri ditë në Kosovë.

Kurti ka thënë se vrasja është akti më i rëndë, ndërsa ka kërkuar analizë të kujdesshme profesionale, veprim dhe reflektim shoqëror.

”Dua të ndaj shqetësimin dhe brengën lidhur me 4 vrasjet në tre ditët e fundit. Ftoj organet e rendit, hetuesisë e drejtësisë, që të hetojnë shkaqet, rrethanat e dorasve, në mënyrë që edhe të vihet drejtësi, por edhe të parandalohen raste të tilla në të ardhmen. Vrasja është akti më i rëndë, ajo asnjëherë nuk guxon të normalizohet. Vrasja është jo vetëm vrasje e njeriut por edhe e shoqërisë që ai njeri bënte pjesë. Gjithë vendi është tronditur e lënduar nga kjo seri e vrasjeve që duhet të ndalohet, të ndalet, të dënohet. Na duhet natyrisht analizë e kujdesshme profesionale, veprim i menjëhershëm institucional, dhe reflektim shoqëror që adreson dhunën që e kemi parë në këto ditë e fundit. Kjo është thirrje për të gjithë ne dhe secilin prej nesh. Edhe për faktin që këto vrasje ndodhën në javën pikërisht kur shënojmë 26-vjetorin e fillimit të fushatës së bombardimeve të NATO-s në Kosovë npër të ndalur gjenocidin e Serbisë, dhe përkujtojmë masakrat e njëpasnjëshme të aparatit shtetëror të Serbisë që synonte shfarosjen e popullit shqiptar”, tha ai në mbledhjen e Qeverisë.

Shpërndaje në

U Kopjua