Të premten që e lamë pas Gjykata Themelore e ka urdhëruar Kryeministrin Albin Kurti që të paraqitet në Prokurorinë Speciale të Kosovës, për rastin e “Rezervave shtetërore”. Por as kësaj radhe ai nuk u paraqit në PSRK, megjithëse urdhëri i Gjykatës e obligonte për një gjë të tillë Kurti në orën 10:00, shkoi në Gjilan që të përurojë një çerdhe. Gurthemeli i së cilës u hoq sapo Kurti u largua prej aty.
Lidhur me mospërfilljen e Kurtit për herë të tretë ndaj ftesave të Prokurorisë, Periskopi ka kontaktuar avokatin Skënder Musa, i cili ka folur rreth procedurave se si mund të gjobitet kryeministri për refuzimin që po i bën organeve të drejtësisë.
Musa i ka thënë Periskopit se Kurti mund të arrestohet dhe t’i shqiptohet masa e paraburgimit prej 1 muaj, pasi që nuk ka imunitet që e mbron.
“Nuk ka asnjë imunitet që e mbron asnje njeri që thirret me dëshmu për vepra penale të korrupsionit dhe ministrat dhe kryeministri nuk kanë imunitet për mos me dëshmu se lidhet me punen e tyre. Ligji e parasheh obligim për secilin qytetar për me dëshmu rreth zbardhjes së cështjes penale. Për ato çka ka parë që janë në dijeni dhe çka ka dëgju. Për mosparaqitje në Gjykatë dispozita ligjore e parasheh që dëshmitari mundet të gjobitet deri në 250 euro, por nuk e parasheh sa here mundet me u ndëshku nëse nuk paraqitet atëherë parashihet e drejta e urdhëresës së Prokurorisë edhe me u arrestu dhe e gjykates me i shqiptu masën e paraburgimit prej një muaj…”, tha ai për Periskopin.
Sipas Musës parashihet edhe mundësia që dëshmitari që thirret disa herë të bëhet i pa rëndësishë që të dëgjohet nga Gjykata e Prokuroria.
“Gjithashtu e parasheh mundesin qe deshmitari qe u thirr disa here me u be u pa rendesishem per çeshtjen penale per me dëgju Gjykata dhe Prokuroria mirëpo nuk ka asnje lloj imuniteti qe e perjashton kryeministrin per dhenie te deshmise me veper penale qe lidhet me ato cka ai ka njohuri dhe qe lidhet me punen e tij”, tha për Periskopin avokati.
Mungesa e gatishmërisë së Kurtit që të paraqitet në Prokurori për të dëshmuar është bërë lajm edhe në mediat ndërkombëtare. Ballinat e mediave më prestigjioze u mbushën me tituj se si Kryeministri i Kosovës po refuzon vazhdimisht të dëshmoj në Prokurori për një rast të dyshuar korrupsioni.
Kujtojmë se në dhjetorin e vitit të kaluar, Prokuroria Speciale e Kosovës e kishte ftuar Kurtin të paraqitet në cilësinë e dëshmitarit në një rast të hapur lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore.
Kurti kishte refuzuar të paraqitej në Prokurori, duke u bërë thirrje prokurorëve që të shkojnë ata dhe ta intervistojnë në zyrën e tij.
Ftesën e parë Kurti e kishte marrë më 16 dhjetor, kur zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, kishte thënë se Kurti nuk ishte paraqitur pasi që ishte në udhëtim jashtë vendit dhe kishte shtuar se Kurti “ka shprehur gatishmërinë t’i mirëpresë prokurorët e rastit në zyrën e tij në një ditë dhe orë të dakorduar nga të dyja palët për të përmbushur kërkesën e dalë nga ftesa e Prokurorisë”.
Katër ditë më vonë, Kurti kishte marrë sërish ftesë nga Prokuroria, të cilës prapë nuk i ishte përgjigjur pozitivisht.
Por, ftesa e Kurtit që të intervsitohet në zyrën e tij është kritikuar nga ekspertë ligjorë. Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi i ka thënë më herët Radios Evropa e Lirë se “nëse prokurorët nuk kanë guxim profesional”, atëherë jo vetëm kryeministri, por edhe qytetarët e zakonshëm “mund të tallen dhe të mos e respektojnë autoritetin e Prokurorisë”.
Ndryshe në verën e vitit 2023, tre persona ishin arrestuar për rastin e rezervave shtetërore. Në mesin e tyre ishin edhe punonjës të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari, e cila, gjatë paraqitjes për dëshmi në Prokurorinë Speciale, ka zgjedhur të mbrohet në heshtje, si dhe dosti i Kurtit, Ridvan Muharremi i njohur me emrin Ridi. Ai është pronar i një restoranti në Prishtinë.
Në këtë MINT, më 2023, u kryen bastisje pas publikimit të audio-incizimeve nga ku pretendohej se një sasi vaji, e blerë në Poloni, dhe një sasi gruri, e blerë në Turqi, nuk kishin arritur kurrë.