Legjenda e Barcelonës, Rivaldo, ka paralajmëruar lojtarët për dëshirën e Real Madridit për të fituar një trofe këtë sezon përpara finales së Kupës së Mbretit.
Takimi mes Barcelonës dhe Realit do të luhet në stadiumin La Cartuja të Seviljes nga ora 22:00 dhe ky do të jetë dueli i dytë i dy klubeve më të mëdha spanjolle në betejën për trofe këtë sezon, raporton Telegrafi.
Për këtë El Clasico është folur shumë tashmë dhe i fundit që ka dhënë mendimin e tij, duke paralajmëruar Barcelonën, është legjenda braziliane, Rivaldo.
“Real Madridi do të bëjë gjithçka që mundet për të ngritur Kupën kundër rivalëve të tyre më të mëdhenj”, ka thënë fillimisht Rivaldo përpara ndeshjes.
“Kjo është mundësia e tyre e artë për ta mbyllur sezonin me një trofe”.
“Në letër, Barcelona mund të duket më e fortë, por gjithçka mund të ndodhë në një finale të vetme”.
“Forma ka rëndësi, por në ndeshje si kjo, shpesh varet se kush e trajton më mirë presionin”, përfundoi ish-ylli i Barcelonës.