Live

Rohde i hidhëruar me deputetët: Qytetarët meritojnë politikanë që e kanë prioritet Kosovën mbi partinë

18:55 / 17 Prill 2025

Nga Kosova Live

Kuvendi i Kosovës nuk po arrin të zhbllokojë punën për betimin e deputetëve, e cila do t’i hapte rrugë më pas tentimit për formimin e qeverisë.

Seanca e nisur më 15 prill, por e ndërprerë meqë partitë që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë, PDK, LDK dhe AAK, nuk e votuan raportin e Komisionit të Përkohshëm për verifikimi e kuorumit dhe mandateve, pasi kërkonin që anëtarët e Qeverisë Kurti 2 të jepnin dorëheqje para se të vazhdonin me betimin për deputetë.

Kjo seancë vazhdoi sot (të enjten), ndërsa sërish nuk u gjet zgjidhja përpara.

Për këtë çështje ka reaguar ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, i cili tha se “për shkak të taktikave penguese”, Kuvendi ka mbetur i bllokuar.

Ai tha se qytetarët meritojnë politikanë që prioritet kanë Kosovën, e jo politikën partiake.

“Kanë kaluar mbi dy muaj pas zgjedhjeve, dhe Kuvendi i Kosovës mbetet i bllokuar për shkak të taktikave penguese. Qytetarët meritojnë politikanë që e kanë prioritet Kosovën mbi politikën partiake”, ka thënë Rohde në profilin e tij në aplikacionin “BlueSky”.

Ai përsëriti se “duhet urgjentisht një bashkëpunim i mirëfilltë për të siguruar funksionimin e institucioneve dhe formimin e shpejtë të një qeverie të qëndrueshme”.

Shpërndaje në

U Kopjua