Qendra e gjuhës gjermane dhe e provimeve të OSD-së, e cila vepron në tri qytete të Kosovës, po shënon një interesim në rritje të vazhdueshme për kurset e gjuhës gjermane. Sipas drejtuesve të qendrës, numri mesatar i kursantëve që ndjekin programet mësimore arrin në rreth 250 nxënës në baza të rregullta raporton Ekonomia Online.
Ndonëse kanë nxënës të profileve të ndryshme, Arbër Xheladini thotë se mbizotëron profesioni i shëndetësisë.
“Ne si qendër e gjuhës gjermane dhe e provimeve të OSD-së jemi të shtrirë në tri qytete të Kosovës. Numri varion, mirëpo nëse e marrim një shifër mesatare e kursantëve, sillet rreth 250 nxënës që janë vazhdimisht duke e ndjekur kursin e gjuhës gjermane”, thotë Xheladini.
“I kemi tani disa kategori të nxënësve. Kemi nxënës ndjekin gjuhën gjermane vetëm për nivelin A1 për qëllime të bashkimit familjar, atyre nuk u nevojiten më shumë se niveli A1, e disa prej tyre vazhdojnë se derisa janë duke pritur vizën për të shkuar në Gjermani, ata vendosin të vazhdojnë me gjuhë sepse gjithsesi iu duhet dhe pastaj edhe në Gjermani kur shkojnë ose në shtetet tjera, detyrimisht kanë me vazhdu kursin, kështu që është një përparësi e madhe që ta ndjekin këtu kursin”, theksoi drejtuesi i qendrës.
Interesimi për mësimin e gjuhës gjermane është shtuar dukshëm gjatë tri-katër viteve të fundit, sidomos nga profesionistët në fushën e mjekësisë. Kjo lidhet me faktin që shumë studentë në Kosovë ndjekin studime në degë të ndryshme të mjekësisë në fakultete private, ndërsa shumë prej tyre synojnë të punojnë në Gjermani pas përfundimit të studimeve.
“Ky interesim ka filluar ka tre, katër vite dhe vazhdon ende të jetë shumë aktual dhe të ketë shumë kërkesa për mësimin e gjuhës gjermane nga profesionistët shëndetësor. Ky interesim lidhet me faktin që shumë njerëz këtu studiojnë mjekësinë në kategori të ndryshme të mjekësisë dhe fakultetet tona private ofrojnë shumë vende për studentë në fushën e mjekësisë, prandaj po mendoj që është edhe interesimi konform këtyre numrave dhe vazhdon edhe interesimi për ta mësuar gjuhën gjermane, sepse shumica e sidomos infermierëve dëshirojnë të vazhdojnë të punojnë në Gjermani për arsye të ndryshme”, deklaroi Xheladini.