Live

Rubio: Administrata Trump po riorganizon DASH-in

18:15 / 22 Prill 2025

Nga Kosova Live

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka bërë të ditur se administrata e drejtuar nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po e riorganizon Departamentin amerikan të Shtetit (DASH).

Ky vendim u mor, sipas Rubios, në mënyrë që të eliminohen zyrat që administrata e Trumpit i konsideron të tepërta dhe për të shkurtuar disa programe që thotë se nuk përputhen me interesat e SHBA-së.

“Kjo qasje do të fuqizojë Departamentin që nga themeli, nga zyrat te ambasadat”, tha Rubio në një deklaratë, duke i përshkruar lëvizjet si pjesë e agjendës së Trumpit për ta vendosur SHBA-në në rend të parë, si prioritet.

“Funksionet specifike për rajone do të konsolidohen për ta rritur funksionalitetin, zyrat e tepërta do të hiqen dhe programet jo-statutore, që nuk janë në përputhje me interesat thelbësore kombëtare të Amerikës, do të pushojnë së ekzistuari”, tha Rubio.

Punën që më parë e kryente nënsekretari për Siguri Civile, të Drejtat e Njeriut dhe Demokraci tani do të vendoset nën një koordinator të ri për Ndihmën e Jashtme dhe Çështjet Humanitare, shtoi ai.

Rubio, i cili shërben edhe si mbikëqyrës i administratës së shkatërruar të USAID-it, kritikoi rritjen e departamentit ndër vite, duke e quajtur atë “të fryrë, burokratik dhe të paaftë për të kryer misionin e tij thelbësor diplomatik në këtë epokë të re të konkurrencës së fuqive të mëdha”.

Ky riorganizim vjen pasi Trump në shkurt urdhëroi ndryshime në Shërbimin e Jashtëm të SHBA-së – trupit diplomatik të vendit – për të siguruar që ajo të ndiqte agjendën e tij të politikës së jashtme, raporton REL.

Zyrtarët amerikanë në mars thanë se departamenti po përgatitej gjithashtu të mbyllte gati një duzinë konsullatash. Por, në njoftimin e Rubios nuk u tha asgjë për konsullata.

Shpërndaje në

U Kopjua